LAJMI I FUNDIT:

Libër me ilustrime për Sabiha Kasimatin

Libër me ilustrime për Sabiha Kasimatin

“Kundër rrymës”, është vepra ku historia e jetës së biologes dhe iktiologes tregohet përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët Sabiha Kasimati i studioi, duke synuar që fëmijët edhe të rinjtë e sotëm të ndërgjegjësohen për regjimin socialist edhe terrorin e ushtruar mbi intelektualët e kohës. Bashkautorët, Vytene Muschik dhe Lina Itagaki, rrëfejnë punën për realizimin e këtij botimi.

“Çdo gjë filloi rreth një vit më parë. Në një projekt që po punonin në Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit, bashkë me kolegen, gazetaren Fatmira Nikolli, mësova për herë të parë emrin e saj. U befasova me punën e saj. Ishin dhjetë shkencëtarë edhe një grua. Kur shkuam në Korçë, pamë liceun francez të asaj kohe, ku ka qenë vetëm një grua, Sabiha Kasimati. Më pas folëm për ekzekutimin në vitin 1951, ku u ekzekutuan 22 intelektualë edhe ishte vetëm një grua, Sabiha Kasimati. Më pas kur, studiova fatin e saj, faktet, arrita të kujtoj se është shumë e rëndësishme që të flasim për të kur diskutojmë për diktaturën në Shqipëri. Për të krijuar këtë histori, dialogët, punuam një grup me Lituaninë dhe Shqipërinë. Në fund, autori në Lituani, Marius Marcinkevicius, na ndihmoi me tekstin dhe i erdhi një ide shumë e mirë, që dialogët të shihen nga pikëpamja e peshqve. Kishte shumë rëndësi që ky libër të bazohej në fakte të vërteta, por edhe të përdornim fantazinë tonë për të krijuar dialogët, që mund të ndodhnin në atë atmosferë”, shprehet autorja Vytene Muschik.


“Në fillim nuk kishim asgjë veç fjalëve… Kur krijon një libër me ilustrime duhet që të krijosh edhe strukturën bazë. Ishin thjeshtë skica, e më pas nisa që të rivizatoj me laps edhe letër, edhe duke mbushur me ngjyra përmes kompjuterit. Është libri im i pestë që mbështetet mbi ngjarje historike, edhe kur punojë për këtë e zhvendos veten në kohë, duke pas parasysh edhe veshjen, mjetet që ka përdor edhe vet Sabihaja në atë kohë…”, thotë autorja Lina Itagaki.

Ndërsa, historiani Uran Butka pasi sjell edhe një herë në vëmendje vlerat intelektuale të shkencëtares Sabiha Kasimati, ndalet tek libri me kujtime i Nexhmie Hoxhës, në të cilin ajo nuk flet për pushkatimin e shkencëtares.

“Zotëronte disa gjuhë të Perëndimit edhe të Lindjes, në mënyrë të veçantë frëngjishten. Kujtohet dhe sot si vajza e parë liceiste. Në vitin 1936 nisi studimet e larta, pasi shteti i akordoi bursë në Fakultetin e Torinos. Nexhmia në kujtimet e saj flet për Sabiha Kasimatin si një pedagoge, por nuk thotë asgjë sesi përfundoi, edhe për faktin që ngriti dorën në plenumin e komitetit qendror për pushkatimin e saj”, shprehet Butka.

Pas shpërthimit që ndodhi më 19 shkurt të vitit 1951 në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë, edhe pse nuk kishte asnjë të plagosur, autoritetet e asaj kohe fajësuan 22 intelektualë të rinj që punonin në Tiranë, duke përfshirë mes tyre edhe të vetmen grua, Sabiha Kasimatin. /Shqiptarja/