LAJMI I FUNDIT:

Letërth mbi kohën

Vetë po e shtyjë gjithë këtë glob timin, por nuk jam aty pranë ta shoh me sytë e mi sesi lëviz prej një kohe në një kohë të çuditshme. Pa veten time të zakonshme për veti të brendshme e kam të zakonshmen të sfidoj kohën. Vërtet e hidhur, e pabesë, e trishtë, një ngrirje hënore mbi prizmin e syve të mi tek shoh të mbytet një kohë e imja. Përjetim i ngathët, i ndërlikuar mbi dëshpërimin e thyer që ka rënë si cifla poshtë humnerës sime të zakonshme.

Por, edhe humbja, që është ndonjëherë e hidhur dhe e pabesë, në këtë botë është e arsyeshme, pra reale. Mbi kohën e keqe që nuk mund ta ndalojmë, të së cilës i duhemi të jemi përballë me një sy kritik. Në këtë kohë, kur fryma mbaron krejtësisht, rilind diçka më hyjnore, më e ndritshme, se sa një diell verdhacuk që t’i errëson sytë papritur.


Jashtë të keqes nuk ekziston asnjë vullnet për ta afatizuar, pos përjetimit të një momenti real. E keqja ka një jetë të re, një kohë të fundit që të mbjell një start të ri të barabartë me veten. Përmbi ne është armiku, që është vetvetja. Sado kristale që të kesh brenda njerëzillëkut tënd, një shtizë e Akilt të godet në thembër. Të gjunjëzon, por për falë kohës, duhet kthjelluar e gdhirë nga rropatjet dhe ngrirjet që herë pas here e ngërçojnë njeriun.

Ka ardhur koha e Mersos, ku dielli sot mund të të verbojë përgjithmonë, dhe, ja po e përjetojmë këto kohët e fundit. Po ik, strukem jashtë çdo të hidhure që mbart kjo tokë e zakonshme, sepse u bënë shumë. “Njeriu është i zakonshëm, sepse të zakonshmen e ka për ushqimin e vet” thotë Friedrich von Schiller.

Andaj, thjeshtësia mund të jetë një mënyrë për të të nxjerrë nga e keqja e organizuar. Absurd të premtosh, të ngresh lart një kullë të re, absurd të rrënosh! Kjo që po na ndodh është një goditje, ose një dënim i shkruar. Dhe zoti po heq dorë përfundimisht nga aktet tona të dhembshme, të pabesa.

Kritika ka humbur shkëlqimin e duhur. Padrejtësitë po rrjepin surrate njerëzish të zakonshëm. Drejtësia nuk është koherente me kohën. Edhe njerëzillëku po na vyshket ngado. Koha po na mbyt, po na fundos përtej gjithçkaje… Këtu është mjerimi ynë që nuk merr fund kurrë!