Lëkurë e yndyrshme dhe shkëlqim i tepërt? Ja si ta riktheni balancën natyrale

Heqja e plotë e yndyrës nga lëkura as nuk është e mundur, as e dëshirueshme, sepse ajo përbën pjesë të mbrojtjes natyrale të saj. Çelësi qëndron te balanca
Ekziston një dallim i qartë midis lëkurës së shëndetshme, natyrshëm të ndritshme dhe atij shkëlqimi të tepërt, estetikisht të pakëndshëm, që e bën fytyrën të duket e yndyrshme dhe e parregullt.
Dermatologët theksojnë se shkëlqimi i tepërt nuk është vetëm problem estetik, por rezultat i proceseve që ndodhin si në organizëm, ashtu edhe në sipërfaqen e lëkurës. Lajmi i mirë është se lëkura e yndyrshme mund të parandalohet.
Pse ndodh: Bazat shkencore të shkëlqimit të tepërt
“Fajtorët” kryesorë për pamjen e yndyrshme të fytyrës janë gjëndrat dhjamore (sebaceale). Ato ndodhen në dermë dhe prodhojnë në mënyrë natyrale sebumin, një substancë vajore që hidranton lëkurën, e mbron nga mikroorganizmat dhe ndihmon në ruajtjen e barrierës mbrojtëse. Por kur këto gjëndra punojnë tepër intensivisht, lëkura fillon të shkëlqejë në zona si balli, hunda dhe mjekra (të ashtuquajtura T-zonë).
Në këtë proces ndikojnë faktorë hormonalë, veçanërisht androgjenët, të cilët stimulojnë prodhimin e sebumit, prandaj lëkura e yndyrshme është më e zakonshme gjatë pubertetit ose ndryshimeve hormonale.
Faktorët që ndikojnë: Klima, gjenetika dhe ushqimi
Studimet tregojnë se klima ka ndikim të madh, lagështia e lartë dhe nxehtësia nxisin aktivitetin e gjëndrave dhjamore, ndërsa dimri shpesh çon në kombinim të lëkurës së thatë dhe të yndyrshme për shkak të barrierës së dëmtuar.
Gjenetika, kujdesi i gabuar dhe ushqimi (sidomos ushqimet pikante dhe alkooli) gjithashtu kanë ndikim të drejtpërdrejtë.
Gabimet që e përkeqësojnë lëkurën e yndyrshme
Shumë persona përpiqen ta zgjidhin problemin me pastrime të shpeshta ose pilingë agresivë. Kjo largon përkohësisht yndyrën, por gjëndrat marrin sinjal të prodhojnë edhe më shumë sebum, duke e përkeqësuar gjendjen.
Po ashtu, përdorimi i pudrave apo kremrave me bazë vajore mbyll poret dhe shkakton puçrra e pika të zeza (mitisere), transmeton Telegrafi.

Çfarë rekomandojnë dermatologët
Dermatologët këshillojnë kombinimin e higjienës së duhur, produkteve të përshtatshme dhe zakoneve të shëndetshme.
- Acidi salicilik ndihmon në tretjen e sebumit dhe hapjen e poreve, pa e tharë lëkurën.
- Hidratimi i lehtë është thelbësor – kur lëkura është mirë e hidratuar (p.sh. me acid hialuronik), gjëndrat e kuptojnë se nuk kanë nevojë të prodhojnë më shumë vaj.
- Formulat me zink ose niacinamid reduktojnë sekretimin e sebumit dhe kanë veti kundërinflamatore.
Studimet tregojnë se përdorimi lokal i zinkut mund të zvogëlojë dukshëm aknet dhe shkëlqimin e tepërt. - Kremrat me mbrojtje diellore (SPF) duhet të jenë pjesë e përditshme e kujdesit – zgjidhni produkte jo komedogjene, me mikrozink, që madje thithin yndyrën e tepërt.
- Tonikët me alfa-hidroksi acide (AHA), si acidi glikolik dhe acidi laktik, veprojnë si pilingë të butë që largojnë qelizat e vdekura dhe rregullojnë shpërndarjen e sebumit.
- Maskat me argjilë (kaolin, bentonit, argjilë marokene) janë ideale si trajtim periodik për të absorbuar vajin e tepërt dhe papastërtitë nga poret.
Ushqimi dhe stili i jetesës
Ajo që hamë, reflektohet drejtpërdrejt në lëkurë. Vitamina A (nga karota, pjepëri, spinaqi) ndihmon në rregullimin e prodhimit të sebumit. Në të kundërt, ushqimet e djegës dhe alkooli zgjerojnë enët e gjakut dhe rrisin djersitjen, duke nxitur shkëlqimin dhe inflamacionet.
Gjumi i mirë dhe menaxhimi i stresit janë po ashtu të domosdoshëm, sepse ndryshimet hormonale nën stres ndikojnë direkt në yndyrën e lëkurës.
Balanca, jo lufta agresive
Heqja totale e yndyrës nga lëkura nuk është as e mundur, as e shëndetshme. Balanca është çelësi: me kujdes të rregullt, zgjedhje të mençura të produkteve dhe zakone të shëndetshme, fytyra mund të mbetet e pastër dhe e mbrojtur, pa humbur shkëlqimin natyral. /Telegrafi/





















































