LDK dhe PDK arrijnë marrëveshje koalicioni në Fushë Kosovë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar për arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se të dyja partitë kanë hartuar së bashku planin qeverisës për mandatin e ardhshëm.
“Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë,” ka shkruar Osmani.
Ai ka shtuar se degët e dy partive kanë punuar ditëve të fundit në harmonizimin e objektivave dhe në përgatitjen e planit të përbashkët qeverisës.
“Gjatë këtyre ditëve, dy degët tona kanë punuar së bashku në hartimin e planit qeverisës dhe, në koordinim të plotë edhe me qendrën, kemi nënshkruar marrëveshjen për qeverisjen gjithëpërfshirëse për mandatin e ardhshëm qeverisës,” ka theksuar ai.
Sipas Osmanit, marrëveshja me PDK-në është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.





















































