Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar të enjten kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave në detyrë që u bënë deputetë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kabineti i tij janë duke bërë vepër penale, transmeton Telegrafi.


“Në emër të deputetëve të LDK-se, sot kemi dorëzuar shtatëmbëdhjetë kallëzime penale kundër ish-kryeministrit në fakt Albin Kurtit, dhe ish ministrave të kabinetit të tij, duke përfshirë këtu edhe një ish zëvendësministre. Të gjithë këta të zgjedhur deputetë, dhe të certifikuar sipas rezultatit zgjedhor nga KQZ, më datë 27 mars”, pohoi ajo.

Bajrami tha se konsiderojnë se që nga data 27 mars, këta janë në kundërshtim me nenin 26 të qeverisë, duke shtuar se ky ligj është hartuar dhe  miratuar nga votat e deputeteve të LVV-së në mandatin e kaluar.

“Nga certifikimi edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive, duke shfrytëzuar resurset shtetërorë, dhe duke marrë vendimet që kanë pasoja financiare. Këta deputetë kanë konsumuar vepër penale”, theksoi ajo./Telegrafi/