"Lamine Yamal është ylli i La Ligës" - talenti i Barcelonës merr lavdërime nga ish ylli i Real Madridit

Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, po vazhdon të lërë gjurmë në La Liga me paraqitjet e tij mbresëlënëse. Pas performancës së fundit në “Son Moix”, ai ka marrë vlerësime të mëdha edhe nga ish futbollisti i Real Madridit, Steve McManaman.
Duke folur si analist për Premier Sports, McManaman u shpreh i mahnitur nga paraqitja e 17-vjeçarit.
“Goli i tij ishte fantastik. Folëm për të në fillim të ndeshjes dhe vitin e kaluar. Ai është ylli i La Ligës këtë vit dhe e tregoi këtë me atë gjuajtje të fundit. Ai ka qenë absolutisht i shkëlqyer”, deklaroi anglezi.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit nënvizoi gjithashtu shkathtësinë dhe aftësitë teknike të Yamalit.
“Ai mund të luajë në të majtë, ku është i fortë, por edhe në të djathtë dhe të përballet me kundërshtarët. Ai i ka të gjitha dhe vetëm do të përmirësohet”, nënvizoi McManaman.
Megjithatë, McManaman dha edhe një paralajmërim për mënyrën se si Barcelona duhet ta menaxhojë lojtarin e ri.
“Shpresoj vetëm që Barcelona, e kam thënë disa herë, të mos e luajë gjithmonë kur ndeshjet shkojnë shumë mirë, sepse ndonjëherë ai i zemëron kundërshtarët me talentin e tij të madh. Por çfarë lojtari kemi! Është kënaqësi të vij këtu dhe ta shikoj”, përfundoi ish ylli i Real Madridit. /Telegrafi/










































