Kush mund të dhurojë gjak dhe kush nuk mundet? Flet doktoresha Tërnava

Në podcastin e radhës “Shëndeti në rend të parë” është folur për javën e dhurimit vullnetar të gjakut, rëndësinë e dhurimit sistematik të gjakut, kërkesat e mëdha për gjak, procedurat që duhet ndjekur nga dhuruesi deri te marrësi, etj.
Në një bisedë interesante për Telegrafin, doktoresha Sanije Uka Tërnava ka treguar shumëçka që ndërlidhet me dhurimin e gjakut, gjersa ka folur për atë se kush mund të dhurojë gjak e kush jo.
Ajo madje tha se ekziston miti që nëse njëherë jepet gjak, duhet dhënë gjithmonë. Tërnava potencoi se kjo nuk është e vërtetë.
“Çdo njeri i vullnetit të mirë mund të shkojë në Qendrën e Transfuzionit për të dhuruar gjak, çdo ditë, madje në vikend, por jo çdo njeri mund të dhurojë gjak. Janë disa kritere që duhet me u plotësu, duke u nisur prej moshës, peshës trupore, mandej vijnë tensioni i gjakut, sëmundjet, a është në terapi, a është shtatzënë, etj”, tha doktoresha.
Sipas saj, janë disa parametra që duhet me u plotësu që të hyjë në sistem për të dhuruar gjak.
Ajo tutje shtoi se disa persona ndodh që nuk mund të japin gjak atë ditë, por mund të japin gjak në ndonjë ditë tjetër.
Doktoresha Tërnava tutje ka bërë të ditur se ka persona që nuk mund të dhurojnë gjak kurrë.
Rastet e tilla kanë të bëjnë me atë që kanë pasur tuberkuloz, malarie, etj.
“Për shembull personat që kanë intervenime në zemër në mënyrë të përhershme largohen prej dhurimit të gjakut...Personat që e kanë kaluar tuberkulozin malarien, personat që kanë pjesë metalike në trup, etj”.
Podcasti “Shëndeti në rend të parë” mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/



















































