Kush janë muzikantët që thirrën "Vdekje IDF-së" në festivalin 'Glastonbury': Ata mbetën pa një agjenci menaxhimi që i përfaqëson ata

Dyshja Bob Vylan ka humbur marrëveshjen me agjencinë e menaxhimit pas performancës së tyre në Festivalin e Glastonbury-t, ku udhëhoqën turmën në brohoritje kundër IDF-së dhe treguan mbështetje për Palestinën, dhe vizat e tyre për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë revokuar.
Të shtunën, reperi Bobby Vylan, i dyshes rep punk Bob Vylan, udhëhoqi turmën në skenën West Holts të festivalit Glastonbury duke brohoritur "Liri, liri Palestinës" dhe "Vdekje, vdekje IDF-së", duke iu referuar Forcave Mbrojtëse të Izraelit.
Performanca u transmetua drejtpërdrejt në BBC iPlayer, por korporata e ndaloi shfaqjen e saj në shërbim menjëherë pas kësaj, dhe u zbulua se policia po vlerësonte komentet për të përcaktuar nëse ishte kryer ndonjë vepër penale.
Duke qenë se publiku në numër të madh mbante flamuj palestinezë dhe i përsëriste këto britma, shfaqja shkaktoi një ortek reagimesh në publikun britanik, midis politikanëve, komuniteteve hebraike dhe zyrtarëve izraelitë, dhe BBC u kritikua ashpër.
Kush është dyshja e Bob Vylan?
Dyshja përbëhet nga vokalisti Bobby Vylan dhe bateristi Bobbie Vylan. Ata nuk i kanë zbuluar emrat e tyre të vërtetë për të mbrojtur privatësinë e tyre. Ata e formuan dyshen në Ipswich në vitin 2017 dhe stili i tyre muzikor është një përzierje e punk, rap dhe hard rock.
Ata kanë publikuar tre albume - "We Live Here" (2020), "Bob Vylan Presents The Price Of Life" (2022) dhe "Humble As The Sun" të vitit të kaluar - dhe muzika e tyre u ka fituar çmime, duke përfshirë atë për Artistin më të Mirë Alternativ në Çmimet MOBO 2022 dhe Albumin më të Mirë në Çmimet Kerrang në të njëjtin vit.
Këngët e tyre trajtojnë tema të tilla si racizmi, homofobia, maskuliniteti toksik dhe politika e ekstremit të djathtë, me Bobby-n që shpesh e hap Pretty Songs duke thënë se "dhuna është e vetmja gjuhë që disa njerëz e kuptojnë".
Shfaqjet shpesh përfshijnë crowdsufering dhe ata kanë bashkëpunuar me artistë të tillë si këngëtarja Amy Taylor nga grupi Amyl And The Sniffers, kitaristi i Soft Play Laurie Vincent dhe grupi rock Kid Kapichi.
Në një intervistë me The Guardian vitin e kaluar, Bobby Vylan tregoi se si mori pjesë në protestën e tij të parë pro-palestineze në moshën 15 vjeç, i shoqëruar nga nëna e një shoku.
Të dy folën hapur për luftën në Gaza dhe dënuan lëvizjet e tjera të majta që nuk treguan të njëjtën sasi solidariteti publik. /Telegrafi/































































