Korporata Energjetike e Kosovës përbën bërthamën e energjisë në vend dhe tejkalimi i sfidave me të cilat ballafaqohet, e që gërshetojnë ato me të cilat ballafaqohemi edhe si shoqëri, do të jetë njëri nga përcaktuesit e suksesit tonë.
Kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti në fillim të vizitës që i bëri sot KEK-ut bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Si ndërmarrja kryesore energjetike në vend, KEK-u bart peshën e furnizimit me energji elektrike. Viti i kaluar ishte vit i suksesshëm për këtë ndërmarrje të rëndësishme meqë kishte shënuar përmirësim të performancës së prodhimit të energjisë elektrike me mbi 6 mijë GWh . Kurse këtë vit, që në gjashtë mujorin e parë është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit me ç’rast janë nxjerrë 4.3 milionë tonë thëngjill. Furnizimi i pandërprerë dhe kualitativ i energjisë elektrike është parakusht i zhvillimit ekonomik në vend. Për këtë duhet që të garantohet menaxhim optimal i termocentraleve dhe mihjeve, dhe për të siguruar këtë Qeveria do t’i ofrojë mbështetje të plotë KEK-ut”, tha Kurti.
Sipas tij, KEK-u duhet të jetë inovativ në mënyrë që të arrihet prodhimi i energjisë së ripërtëritshme.
“KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në mënyrë që të arrihet diversifikimi i prodhimit të energjisë duke inkuadruar energjinë e ripërtëritshme, në veçanti atë solare. Këto sfida nuk duhet assesi të dekurajojnë këtë gjigant energjetik. Përkundrazi ato paraqesin potencial për transformim pozitiv të tij dhe tranzicion të drejtë energjetik për vendin, përgjatë të cilit do ta ketë përkrahjen e Qeverisë”, u shpreh ai. /Telegrafi/