Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me mjetet financiare që Qeveria e Kosovës ka ndarë për komunat me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, vërteton edhe njëherë gatishmërinë dhe interesimin që kanë ndaj popullatës shqiptare që jeton në këto komuna.
Kurti përmes një postimi në Faceook tha se më e rëndësishme në këto momente është që të solidarizohemi me qytetarët, në mënyrë që ata të marrin trajtimin bazik të mjaftueshëm për të mbrojtur shëndetin e tyre.
“Jemi të vetëdijshëm që situata me COVID-19 ka rritur jashtëzakonisht nevojat sa i përket pajisjeve mjekësore dhe që buxheti i cili fillimisht është ndarë për pjesën e shëndetësisë është i ultë për shumë institucione. Me këtë ndihmë financiare ne kemi arritur t’i ndihmojmë sadopak këto komuna që të mund të ballafaqohen me vështirësitë që i ka sjellë Coronavirusi në shumë aspekte”, shkruan Kurti.
Ai tha se pagesat janë realizuar gjatë ditës së djeshme, në llogaritë e këtyre tri komunave.
“Këto pagesa janë realizuar më 27 prill, nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes bankës korrespondente “Deutsche Bank AG”, në llogaritë e këtyre tri komunave në Bankën Qendrore të Serbisë”, shkruan Kurti. /Telegrafi/