Kryeministri Albin Kurti nuk i ka shkuar sot në takim presidentit Hashim Thaçi, i cili gjatë ditës takoi disa nga liderët e partive politike në vend, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror. Takimi i Thaçit me Kurtin i paraparë për në ora 13:00 nuk është mbajtur, pasi Kurti nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit. As në agjendën e Kurtit për sot nuk ka figuruar takimi me Thaçin. Ndryshe, nga orët e paradites presidenti ka takuar liderët e partive politike. Ai deri tani ka takuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të PDK-së, Kadri Veseli si dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Presidenti Thaçi në ora 13:45 do të takojë Fatmir Limajn, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i Nismës, ndërsa në 14:15 pret në takim Behgjet Pacollin, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i AKR-së. /Telegrafi/