Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se është optimist për takimin që do të zhvillohet sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ai po ashtu tha se sot në takimin trilateral do ta bëjë më të mirën për Kosovën.
“Nga këtu do të shkoj për takim me presidentin Pendarovckin dhe pastaj kemi takimet bilaterale me ndërmjetësit evropian, përkatësisht me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borell dhe emisarin e tij për Ballkan dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak që i paraprinë takimit trilateral.
Liqeni i Ohrit është liqen tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur siç po e shihni dhe ju vet që jeni këtu. Jam optimist, i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për të gjithë qytetarët pa dallim sepse unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu tha se: “Kam ardhur me qëllime të mira, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimi i arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel, më datë 27 shkurt ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim. Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar, përderisa nuk ka tekst të përfunduar nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje…”, tha ai.
Kurti po ashtu u shpreh se është për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë me marrëveshje.
“Marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Pra nuk kam ardhur për bisedime – bisedime, por bisedime për marrëveshje”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti. /Telegrafi/