Kur një gazetar përdor inteligjencën artificiale për të intervistuar një fëmijë të vdekur, a nuk është koha të pyesim se ku duhet të jenë kufijtë?

Nga: Gaby Hinsliff / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Joaquin Oliver ishte 17 vjeç kur u qëllua në korridorin e shkollës së tij të mesme. Një adoleshent më i vjetër, i përjashtuar disa muaj më parë, kishte hapur zjarr me një pushkë të fuqishme në Ditën e Shën Valentinit, në atë që u bë masakra më vdekjeprurëse në një shkollë të mesme në Amerikë. Shtatë vjet pas, Joaquin thotë se mendon se është e rëndësishme të flitet për atë që ndodhi atë ditë në Parkland të Floridës, “në mënyrë që të krijojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë”.
Por, fatkeqësisht, ajo që ndodhi me Joaquinin në atë ditë është se ai vdiq. Zëri i çuditshëm metalik që i fliste ish-gazetarit të CNN-it, Jim Acosta, në një intervistë në [platformën] Substack këtë javë, ishte në fakt një fantazmë digjitale: një inteligjencë artificiale [IA], e trajnuar mbi postimet e tij të vjetra në rrjetet sociale, me kërkesë të prindërve të tij të cilët po e përdorin atë për të mbështetur fushatën e tyre për kontrolle më të rrepta të armëve. Si shumë familje të pikëlluara, ata e kanë treguar historinë e fëmijës së tyre pa pushim, me shumë dhimbje dhe pak sukses. Nuk është çudi që tani po e shtrijnë dorën drejt çdo mjeti të mundshëm, duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë duhet bërë që fëmijët e vdekur të dëgjohen në Uashington.
Por, gjithashtu, siç pranon babai i tij, Manuel, ata thjesht donin të dëgjonin sërish zërin e djalit të tyre. Bashkëshortja e tij, Patricia, kalon orë të tëra duke i bërë pyetje IA-së, duke e dëgjuar atë të thotë: “Të dua, nënë”.
Asnjë prind me mendje të kthjellët nuk do ta gjykonte një prind të pikëlluar. Nëse është ngushëllim të mbash dhomën e fëmijës së humbur si një vend i shenjtë, të flasësh me varrin e tyre, të flesh me një bluzë që ende mban erën e tyre, atëherë kjo nuk është puna e askujt tjetër. Njerëzit kapen pas çdo gjëje që mund të ruajë lidhjen. Pas 11 Shtatorit [2001], familjet i dëgjuan mesazhet telefonike, derisa harxhohej regjistrimi, të lëna nga të dashurit që telefononin për të thënë lamtumirë nga kullat që digjeshin dhe aeroplanët e rrëmbyer. Kam një shoqe që rregullisht i rilexon bisedat e vjetra në WhatsApp me motrën e saj të ndjerë, dhe një tjetër që herë pas here i dërgon mesazhe numrit të babait të saj të ndjerë me copëza lajmesh familjare: sigurisht, ajo e di që ai nuk është më aty, por nuk është ende gati ta përfundojë bisedën. Disa njerëz madje paguajnë fallxhorë për të komunikuar me të vdekurit, me fjalë të dyshimta dhe të paqarta. Por, pikërisht sepse është kaq e vështirë të heqësh dorë, pikëllimi është i ndjeshëm ndaj shfrytëzimit. Dhe, së shpejti mund të bëhet një industri e madhe për rikthim digjital të të vdekurve.
Ashtu si me videon e ndjeshme të krijuar nga IA-ja të cilët Rod Stewart e shfaqi në skenë këtë javë, ku shfaqej i nderi Ozzy Osbourne duke përshëndetur figurat e tjera të ndjera të muzikës, kjo mund të mos jetë gjë tjetër veçse meme lavdëruese. Ose mund të ketë një qëllim të përkohshëm, si avatari i IA-së i krijuar së fundmi nga familja e një viktime të të shtënave në Arizonë, për t’iu drejtuar gjyqtarit në seancën e dënimit të autorit. Por, me kalimin e kohës, kjo mund të bëhet diçka që sfidon në mënyrë të thellë idetë për identitetin dhe vdekshmërinë. Po sikur të jetë i mundur krijimi i një kopjeje të përhershme të dikujt që ka vdekur, ndoshta në formë roboti, dhe të vazhdohej biseda me të përgjithmonë?
Ringjallja është një fuqi hyjnore, jo diçka që duhet dorëzuar lehtë te ndonjë teknolog [tech bro] me kompleks mesianik. Por, ndërsa të drejtat ligjore të të gjallëve për mos vjedhje të identitetit - për përdorim në krijime të rreme [deepfake] të krijuara nga IA-ja - po bëhen gjithnjë e më të qarta, të drejtat e të vdekurve janë të paqarta.
Reputacioni vdes bashkë me ne - të vdekurit nuk mund të shpifen - ndërkohë që ADN-ja mbrohet edhe pas vdekjes. (Lindja e deles Doli në vitin 1996, një klon gjenetik i krijuar nga një qelizë e vetme, nxiti ndalime globale për klonimin njerëzor.) Ligji rregullon asgjësimin me dinjitet të indeve njerëzore, por IA-ja nuk do të trajnohet mbi trupat: ajo do të trajnohet mbi zëra, mesazhe dhe fotografi private që pasqyrojnë atë që kishte rëndësi për një person. Kur babai im vdiq, personalisht nuk jam ndier kurrë se ai ndodhej vërtet në arkivol. Ishte shumë i pranishëm në kutitë me letrat e tij të vjetra, në kopshtin që kishte mbjellë, në incizimet e zërit të tij. Por, të gjithë pikëllohen në mënyra të ndryshme. Çfarë ndodh nëse gjysma e familjes dëshiron ta ringjallë nënën në mënyrë digjitale, ndërsa gjysma tjetër nuk dëshiron të jetojë me fantazma?
Fakti që IA-ja e Joaquin Oliverit nuk mund të rritet kurrë - se ai do të mbetet përjetësisht 17 vjeç, i ngurtësuar në një person adoleshent në mediat sociale - është në fund të fundit faji i vrasësit të tij, jo i familjes së tij. Manuel Oliver thotë se e di shumë mirë që avatari nuk është në të vërtetë djali i tij, dhe se nuk po përpiqet ta sjellë prapa. Për të duket më shumë si një vazhdim natyral i mënyrës se si fushata e familjes e ka evokuar gjithmonë historinë e Joaquinit. Megjithatë, ka diçka shqetësuese në planin për t’i dhënë IA-së qasje në një llogari në rrjetet sociale, për të ngarkuar video dhe për të fituar ndjekës. Po sikur të fillojë të halucinojë apo të shkojë drejt temave ku nuk mund të dijë kurrë se çfarë do të kishte menduar Joaquini i vërtetë?
Edhe pse për momentin avatarët e IA-së kanë probleme të dallueshme në funksionim, me përmirësimin e teknologjisë mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallohen nga njerëzit e vërtetë në internet. Ndoshta nuk do të kalojë shumë kohë përpara se kompanitë apo madje edhe agjencitë qeveritare - që tashmë përdorin çetbotë për të trajtuar pyetjet e klientëve - të fillojnë të mendojnë nëse mund të përdorin avatarë për marrëdhënie me publikun, që t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve. Acosta, ish-korrespondent i Shtëpisë së Bardhë, ndoshta duhet të kishte ditur këtë më mirë sesa të turbullonte më tej ujërat tashmë të ndotura në një botë pas-së-vërtetës, duke pranuar të intervistojë dikë që teknikisht nuk ekziston. Por, momentalisht, ndoshta rreziku më i qartë është që teoricienët e konspiracionit ta përdorin këtë intervistë si “dëshmi” që çdo histori që sfidon besimet e tyre mund të jetë mashtrim - e njëjta gënjeshtër e çmendur që përhapi drejtuesi i faqes Infowars, Alex Jones, për të shtënat në shkollën “Sendi Huk”.
Megjithatë, sfidat profesionale të përfshira këtu, nuk janë vetëm për gazetarët. Me zhvillimin e IA-së, të gjithë ne do të jetojmë gjithnjë e më shumë me versione sintetike të vetes. Nuk do të jetë më vetëm Alexa relativisht primitive në kuzhinën tënde apo çetboti në laptopin tënd - ndonëse tashmë ka histori njerëzish që i japin IA-së tipare njerëzore apo madje bien në dashuri me ChatGPT-në - por, diçka shumë më e ndjeshme ndaj emocioneve njerëzore. Kur një në dhjetë të rritur britanikë u thotë studiuesve se nuk ka asnjë mik të ngushtë, sigurisht që do të ketë treg për shoqërues nga IA-ja, ashtu siç ka sot për të siguruar një mace apo për të lëvizur nëpër jetën e të panjohurve në TikTok.
Ndoshta, si shoqëri, në fund vendosim se ndjehemi rehat me teknologjinë që i plotëson nevojat e njerëzve, përderisa të tjerët, fatkeqësisht, nuk kishin mundësi. Por, ka një ndryshim të madh mes krijimit të një pranie të përgjithshme ngushëlluese për të vetmuarit dhe zgjimit të të vdekurve me porosi, të dikujt që ti dikur ke dashur. Ka një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur - po sipas vargut që shpesh lexohet në varrime. Si do të na ndryshojë kjo si specie, kur të mos jemi më të sigurt se cila është cila? /Telegrafi/

















































