LAJMI I FUNDIT:

Kur Henri Matisse e udhëzonte Sadik Kacelin për studime

Kur Henri Matisse e udhëzonte Sadik Kacelin për studime

Sadik Kaceli do të tërhiqej nga arti i Matisit (Henri Matisse), qëkur pa për herë të parë – përmes fotografive – pikturat e tij.

Pasi mbaroi shkëlqyeshëm studimet e Shkollës së Vizatimit të Tiranës dhe pasi ishte njohur përmes Enciklopedisë Britanike në Bibliotekën Karnavon të Tiranës me artistët e mëdhenj të kohës, Kaceli iu drejtua Matisit me një letër duke i kërkuar të studionte si nxënës pranë tij.


Artisti i madh, në moshë dhe tashme i tërhequr në Nice, e orienton Kacelin tek miku i tij Andre Lhote i cili kishte një Akademi të tijën. Andre Lhote i kthen po ashtu një përgjigje artistit të ri shqiptar.

Por, pavarësisht dëshirës, Kaceli nuk do të shkoje tek Akademia private e Lhotes, por në Shkollën Superiore të Arteve të Bukura të Parisit, duke qenë se do t’i duhej të kthehej më pas në Shqipëri, ku do të shërbente e do t’i njihej vetëm një diplomë vetëm prej një akademie shtetërore.

Kaceli është një ndër artistët më të njohur shqiptar, i cili ka lënë pas një trashëgimi të çmuar. Spikat dhe cikli i tij i nudove apo cikli i pikturave realizuar gjatë periudhës që jetoi në Paris.

Mes tyre është dhe piktura me titull “Zj. Karmen”, realizuar nga Kaceli në periudhën studentore në Paris (1936-1941). Zj. Karmen, në atë kohë në moshë të madhe, ishte modelja e Rodenit të madh, e cila i pozoi Rodenit për skulpturën e famshme “Puthja”. /Shqip/