Kuq e zi në çdo kufi, festë me flamuj e veshje kombëtare nga Morina në Kakavijë - Rama ndan pamjet

Nga Morina në Kakavijë, shqiptarët i kthyen pikat doganore në ‘arenë’ festë, me valle e këngë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamjet e festës, ku shihen qytetarët me flamuj në duar e veshje kombëtare.
“8 Nëntor 2025. Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë. Nga Morina në Kakavijë, të gjitha pikat doganore u kthyen në skenë të gëzimit dhe energjisë së bukur shqiptare”, shkruan Rama.
Ndryshe, festimet e Ditës së Pavarësisë përfshinë të gjithë vendin si dhe diasporën shqiptare.
Në Shkodër, mbi 200 të ftuar u mblodhën në “Sofrën e Pavarësisë”, me pjesëmarrjen e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe ministres Elisa Spiropali.
Mbrëmja solli atmosferë festive, me spektakël dronësh dhe mesazhin: “Mirë se keni ardhur me bukë, kripë e zemër”.
Flamuri kombëtar u ngrit nga Forcat e Armatosura dhe u vendosën kurora pranë monumenteve historike.
“Ashtu si Shkodra u ngrit nga kultura, Kosova u ngrit nga sakrifica ndaj sot ecim bashkë krah për krah drejt një të ardhme më të mirë dhe shpresë plotë” – u shpreh Vjosa Osmani.
“28 Nëntori i Gjergjit tonë të madh, dita e Pavarësisë dhe e Flamurit tonë të shenjtë si dhe një përkim fatlum edhe ditëlindja e Adem Jasharit duhet të jenë jo vetëm një ditë feste por dhe një ditë e fuqishme reflektimi për gjithçka që mund të bëjmë edhe më shumë” – u shpreh Elisa Spiropali.
Në Kukës, ceremonitë u zhvilluan para bashkisë me pjesëmarrjen e veteranëve të LANÇ-it. Në Lezhë, pranë obeliskut të “Besëlidhjes”, kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe prefekti Taulant Malshi vlerësuan sakrificën e të parëve dhe përkushtimin e vazhdueshëm.
Fieri kremtoi me homazhe dhe koncertin patriotik “Bashkë për ty Atdhe” me orkestrën simfonike dhe tenorin Josif Gjipali. Elbasani zhvilloi ceremoninë pranë bustit të firmëtarit Aqif Pasha, me ngritje flamuri, homazhe dhe pjesëmarrje nga të rinjtë dhe autoritetet.
Gjirokastra kujtoi ditën me homazhe në Kodrën e Rilindasve, duke vendosur kurora mbi eshtrat e patriotëve lokalë. Në Korçë, autoritetet dhe qytetarët kryen homazhe pranë bustit të Luftëtarit Kombëtar dhe vendosën kurora me lule.
Festimet u shtrinë edhe në diasporë, pamjet i takojnë festimeve në Detroit ku mbi 150,000 shqiptarë kremtuan Ditën e Flamurit me dinjitet, duke ruajtur lidhjen me atdheun dhe krenarinë kombëtare.

















































