Kupa e Konfederatave: Caqet e afatit kalimtar

Në artikullin në vazhdim Sky Sports, ka përmbledhur shtatë lojtarë, një nga secila përfaqësuese (përjashtuar brazilianët e përmendur), të cilët shkëlqyen në Kupën e Konfederatave dhe të cilët me gjasë do të largohen nga klubet aktuale gjatë afatit kalimtar veror.
Keisuke Honda (Japoni)
Mesfushori sulmues duket se do të përfundojë te Milani nga CSKA Moska, një hap që do të zemërojë tifozët e Evertonit të cilët kanë pritur ta shohin japonezin në Goodison Park sezonin e ardhshëm. Goditjet e lira janë pika më e fuqishme e 27-vjeçarit, por ai është edhe një driblues i shkëlqyeshëm.
Godfrey Oboabona (Nigeri)
Mbrojtësi i qendrës, i cili ishte në prova te Arsenali në marsin e kaluar, ishte një prej lojtarëve që ra në sy në garën e zhvilluar në Brazil. 22-vjeçari është lidhur edhe me Newcastle dhe mendohet se është në shitje për një milionë funte nga klubi i vendlindjes së tij, Sunshine Stars. Ai tashmë ka fituar 25 paraqitje për Nigerinë edhe e ka siguruar vendin si mbrojtës startues.
Steevy Chong Hue (Tahiti)
Shënuesi i golit që dërgoi polinezianët në Kupën e Konfederatave, anësori i majtë Chong Hue, vërtet impresionoi në sulm edhe pse ekipi i tij pranoi 24 gola në tre ndeshje. Ai regjistroi një shkallë të lartë të kompletimit të pasimeve, 91.9 për qind. Edhe pse vetëm 23 vjeçar, ai është një lojtar në të cilin ia vlen të vësh bast.
Hector Moreno (Meksikë)
Jose Mourinho raportohet se është tifoz i mbrojtësit 25-vjeçar, i cili fitoi titullin e Holandës me AZ Alkmaar në vitin 2009 dhe u transferua te Espanyol dy vera më parë. Ai ka një klauzolë lëshimi në vlerën e 17 milionë funteve, por nëse Chelsea e shet David Luiz, shuma e madhe që do të fitonte nga braziliani do të mund pjesërisht të harxhohej në Morenon.
Daniele De Rossi (Itali)
Një tjetër cak i Chelseat, mesfushori 29-vjeçar mund të shitet nga Roma këtë verë, sipas presidentit të klubit. Së bashku me mbrojtësin me përvojë Giorgio Chiellini, De Rossi ishte një prej lojtarëve më të mirë të Azzurëve në Kupën e Konfederatave dhe ndihmoi ekipin të përfundojë në vendin e tretë të garës.
Diego Lugano (Uruguai)
Jo aq mbresëlënës sa Edinson Cavani, por kapiteni i Uruguait ia vlen të përmendet. 32-vjeçari u huazua nga Paris Saint-Germain te Malaga në janar, kur u bë e qartë se ai nuk përfshihet në planet e Carlo Ancelottit. Edhe pse ai shpreson të jetë pjesë e planeve të trajnerit të ri Laurent Blant, duket më me gjasë që Lugano të largohet këtë verë.
Roberto Soldado (Spanjë)
Pasi luajti për gjithë 90 minutat dhe shënoi në ndeshjen e parë të Spanjës ndaj Uruguait, sulmuesi i Valencias fitoi vetëm edhe një orë tjetër loje në Brazil. Por kjo nuk e largoi interesimin e Tottenhamit, që është duke kërkuar 28-vjeçarin për muaj dhe shpreson ta ketë në ekip për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/




















































