Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë procesin e shkyçjes nga rrjeti për të gjithë konsumatorët që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara, si dhe ndërmarrjen e procedurave përmbarimore ndaj borxhlinjve.

Kompania u bën thirrje konsumatorëve që të kryejnë pagesat sa më parë, në mënyrë që të shmangin masat e detyrueshme. Për ata që nuk kanë mundësi të shlyejnë borxhin në tërësi, “Hidromorava” ka ofruar mundësinë e riprogramimit me këste mujore, përmes marrëveshjeve që mund të nënshkruhen në zyrat e kompanisë.


Sipas njoftimit, konsumatorët që i shlyejnë të gjitha obligimet ose që lidhin marrëveshje për riprogramim do të largohen nga lista për shkyçje dhe nuk do t’u nënshtrohen procedurave përmbarimore.

Kompania thekson se pagesa e rregullt e ujit është e domosdoshme për funksionimin dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, duke apeluar të mos shtyhen obligimet financiare. /Telegrafi/