Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. përmes një reagimi publik thekson se është thellësisht shqetësuese qasja e Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes publike, e cila është në pronësi të saj.

Në reagimin e tyre thuhet se borxhet e komunës ndaj tyre vazhdojnë të mbesin të papaguara, transmeton Telegrafi.


"Edhe pas disa paralajmërimeve dhe kërkesave zyrtare për të përmbushur obligimet financiare ndaj nesh, borxhet e Komunës ndaj KRM Pastrimi vazhdojnë të mbesin të papaguara. Për më tepër, përkundër ftesave të shumta për takim dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, Kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Bestrovci, kanë zgjedhur të injorojnë ndërmarrjen publike dhe të negociojnë në mënyrë të njëanshme me operatorë privatë", thuhet në reagimin e tyre.

Tutje thuhet se sipas "deklarimeve e fundit të bëra vetë nga komuna tashmë është negociuar një marrëveshje me një ose dy kompani private në vlerë 2 milion euro, ndërkohë që automjetet dhe resurset e KRM Pastrimi mbesin të papërdorura si pasojë e dëmeve financiare duke mos paguar vetë e as duke mos lejuar të na paguhen shërbimet".

"Këto veprime të komunës duhet të zgjojnë reagimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë", vijon reagimi.

Mes tjerash thuhet se "kjo qasje jo vetëm që dëmton rëndë ndërmarrjen publike dhe punëtorët tanë, por është një shenjë alarmante e shpërfilljes së interesit publik dhe transparencës në menaxhimin e shërbimeve komunale, e mbi të gjitha po rrezikojnë seriozisht shëndetin publik".

"Ne mbetemi të përkushtuar për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët e Prishtinës dhe kërkojmë që të gjitha vendimet që prekin sektorin e pastrimit të merren në mënyrë të hapur, të drejtë dhe në përputhje me përgjegjësinë institucionale ndaj qytetarëve dhe ndaj ndërmarrjes publike.

Kërkojmë urgjentisht një takim me autoritetet komunale për të adresuar këtë situatë dhe për të siguruar që resurset publike të menaxhohen me kujdes dhe përgjegjësi. Ne siç kemi qenë gjithmonë edhe sot, nesër, pasnesër e kurdo jemi në dispozicion për takim. Andaj reflektoni në këtë drejtim", bëhet e ditur në reagim.

KRM "Pastrimi", ka kërkuar të mos iu pamundësohet shërbimi, dhe të lejohet të vazhdojnë me shërbimin e qytetarëve". /Telegrafi/