Krerët e shtetit urojnë Fitër Bajramin

Krerët e shtetit në Maqedoninë e Veriut kanë uruar sot besimtarët mysliman për festën e Fitër Bajramit.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u dërgoi urim besimtarëve të fesë islame dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, reis-ul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu.
“I nderuar reis-ul-ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve dhe imamëve, si dhe të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoni, ju uroj përzemërsisht festën e madhe – Ramazan Bajramin. Kjo festë është më shumë se një traditë; ajo është shprehje e besimit të thellë, spiritualitetit, mëshirës, harmonisë dhe dashurisë. Energjia dhe ngrohtësia e muajit të shenjtë, shtohet më tej, nuk ndihen vetëm në objektet fetare islame dhe në shtëpitë e besimtarëve, por në të gjithë shoqërinë. Në një kohë kur njerëzimi përballet me konflikte, luftëra, kriza dhe ndryshime klimatike, dhe kur kemi nevojë për paqe e stabilitet, vetëm përmes unitetit dhe respektit mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe një atdhe të begatë. Le ta ruajmë këtë frymë gjatë gjithë vitit!”, thuhet në urimin e presidentes.
Kryeministri Hristijan Mickoski përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ua uroi festën besimtarëve të fesë islame.
“Gëzuar Ramazan Bajramin të gjithë besimtarëve të fesë islame! Në këto ditë të shenjta, kur përmbyllet muaji i agjërimit, durimit dhe përkushtimit shpirtëror, të kujtojmë vlerat e vërteta që na bashkojnë si njerëz: respektin, solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për tjetrin. Kjo festë na mëson se forca e një shoqërie matet me gatishmërinë për të ndihmuar dhe për të treguar mirëkuptim. Si popull, shtohet më tej, gjithmonë kemi ditur të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në momentet më të rëndësishme. Prandaj, sot më shumë se kurrë, është e nevojshme të kultivojmë bashkëjetesën, të ndërtojmë besim dhe të investojmë në një të ardhme të përbashkët me paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët. Gëzimi i Bajramit le t’i mbushë shtëpitë tuaja me ngrohtësi, dashuri dhe mirëqenie. Le t’i ndajmë momentet e bukura me familjen, miqtë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje. Me urimet më të sinqerta për shëndet, përparim dhe begati!”, theksohet në urimin e kryeministrit.
Urime dërgoi edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Të nderuar qytetarë të fesë islame, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju uroj festën e madhe të Ramazan Bajramit, duke ju dëshiruar shëndet, paqe, gëzim dhe mirëqenie. Pas ditëve të agjërimit, lutjes dhe solidaritetit, theksohet më tej, kjo festë na rikujton vlerat e përhershme të humanizmit, respektit dhe ndihmës reciproke. Kjo festë e madhe sjell mesazhe dashurie, mëshire dhe bashkimi – vlera thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe harmonike. Ditët e Bajramit ju sjellshin paqe në familje dhe shpresë në zemra. Le të vazhdojmë të kultivojmë bashkëjetesën dhe tolerancën si themele të së ardhmes sonë të përbashkët. Gëzuar Ramazan Bajramin!”, thuhet në urimin e Gashit.



















































