Krasniqi: Dështimi më i madh i Kuvendit për këtë vit është mos zgjedhja e anëtarëve të bordit të OSHP-së

Analisti politik, Albert Krasniqi mos zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, e ka konsideruar si dështimin më të madh për këtë vit të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se OSHP është jofunksionale prej muajit mars, pasi anëtarëve u ka skaduar mandati.
“Rreth 350 milionë euro janë bllokuar të hyjnë në ekonominë e vendit. Në anën tjetër, është rritur numri i kontratave të negociuara, pasi mundësitë e ankesës janë shumë më të vogla”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:Prej dështimeve më të mëdha të Kuvendit këtë vit është mos zgjedhja e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (e njohur si Gjykata e Tenderëve). OSHP është jofunksionale prej muajit mars, pasi anëtarëve u ka skaduar mandati. Prej asaj periudhe, asnjë tender publik për të cilin ka pasur ankesa nuk ka mundur të ekzekutohet. Rreth 350 milionë euro janë bllokuar të hyjnë në ekonominë e vendit. Në anën tjetër, është rritur numri i kontratave të negociuara, pasi mundësitë e ankesës janë shumë më të vogla. Nga ky dështim i Kuvendit: - Është dëmtuar zhvillimi i ekonomisë dhe është rritur mundësia për korrupsion; - Janë dëmtuar bizneset që presin me muaj për të marr kontratat nga institucionet publike; - Janë dëmtuar qytetarët të cilët nuk po marrin shërbimet e nevojshme (nuk ka as furnizim të rregullt me insulina); - Po favorizohen bizneset e caktuara; - Po dëmtohet buxheti i shtetit, pasi si pasojë e mungesës së konkurrencës reale paguhet më shtrenjtë. /Telegrafi/


















































