Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të subjekteve politike për periudhën e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Sipas raportit financiar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të publikuar nga KQZ, partia ka shënuar shpenzime totale prej 358,515.77 euro gjatë periudhës 16 gusht 2024 – 9 shkurt 2025.


Nga këto:

Reklamat, reprezentacioni dhe konferencat kanë qenë kategoria më e madhe e shpenzimeve, me 330,122.41 euro;

Shpenzimet e përgjithshme kanë arritur në 4,248.00 euro;

Shpenzimet e ndryshme, ku përfshihen mirëmbajtja dhe kostot operative, kapin vlerën 22,500.00 euro;

Ndërsa shpenzimet e transportit arrijnë 1,645.36 euro.

Në anën tjetër, LDK ka raportuar të hyra totale prej 94,160.15 euro, kryesisht nga donacionet dhe kontributet në të holla, duke rezultuar në një deficit prej 264,355.62 euro për fushatën zgjedhore.

Në pasqyrën e pozitës financiare, partia ka deklaruar 9,760.89 euro para në llogari, ndërsa detyrimet e saj afatshkurtra kapin shumën 272,192.24 euro.

KQZ ka bërë të ditur se të gjitha subjektet politike janë të obliguara të dorëzojnë raportet financiare për fushatat zgjedhore, në përputhje me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, dhe se këto të dhëna do të publikohen për transparencë ndaj publikut.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.