LIVE: Përditësohen shifrat në KQZ, mbi 550 mijë votues deri në ora 15:00

- 28/12/2025 16:32- KQZ jep informacione sa ishte dalja më 9 shkurt deri në ora 15:00 krahasuar me sot
- 28/12/2025 16:17- Haradinaj thirrje KEDS-it: Mos të ndërpritet energjia gjatë votimit dhe numërimit
- 28/12/2025 15:58- Radoniqi: Procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht, pavarësisht ndërprerjeve të rrymës
- 28/12/2025 15:35- Stavileci: Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, kjo ditë po shkon drejt një rezultati historik për PDK-në
- 28/12/2025 15:26- KQZ: Deri në ora 15:00 kanë votuar 27.95 për qind e qytetarëve
- 28/12/2025 15:06- Në moshën 71-vjeçare voton për herë të parë qytetari nga Vrella e Istogut
- 28/12/2025 14:50- S’i lejohet ta ndihmojë bashkëshorten, qytetari në Prizren shqyen fletëvotimin
- 28/12/2025 13:51- DnV: Procesi i qetë, por me parregullsi – ankesa për lista votuesish, asistencë dhe dokumente të pavlefshme
- 28/12/2025 13:48- Prokuroria e Shtetit monitoron procesin zgjedhor përmes dhomës operative
- 28/12/2025 12:43- Osmani: Rezultatet e zgjedhjeve duhet të sjellin parlament dhe qeveri të re sa më shpejt
- 28/12/2025 12:05- Radoniqi: Ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna
- 28/12/2025 11:46- KQZ: Deri në ora 11:00 kanë votuar 8.48 për qind e qytetarëve
- 28/12/2025 10:57- Abdixhiku: Qytetarët të votojnë për largim nga zymtësia dhe bllokada
- 28/12/2025 10:31- KQZ: Deri në ora 10:00 kanë votuar 2.64 për qind e qytetarëve
- 28/12/2025 10:29- Hamza: Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë
- 28/12/2025 10:04- Voton Albin Kurti, fton qytetarët të dalin në votime
- 28/12/2025 10:02- Haradinaj u bën thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
- 28/12/2025 09:28- KQZ: Deri në ora 09:00 kanë votuar 1.75 për qind e qytetarëve
- 28/12/2025 09:00- DnV: Procesi i votimit nisi me disa parregullsi të vogla
- 28/12/2025 08:56- Prokuroria: Denonconi çdo keqpërdorim apo manipulim të votës
- 28/12/2025 08:34- KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë
- 28/12/2025 07:40- Radoniqi sqaron procesin e votimit me asistencë
- 28/12/2025 07:20- Kryetari i KQZ-së, Radoniqi fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës
- 28/12/2025 06:49- Mbrojtja e votës, rreth 100 prokurorë sot në detyrë
- 28/12/2025 06:46- Zgjedhjet sot, Policia me plan operativ për mbarëvajtjen e tyre
Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do t’i drejtohen sot kutive të votimit nga ora 07:00 deri në ora 19:00 për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Votimi do të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës, saktësisht në 2,557 vendvotime, ndërkaq të drejtë vote kanë 1,999,024 persona. Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.
Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00, ndërkaq numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën.
Telegrafi do të ju mbajë të informuar në kohë reale, me të gjitha zhvillimet rreth procesit zgjedhor.
28/12/2025 16:32- KQZ jep informacione sa ishte dalja më 9 shkurt deri në ora 15:00 krahasuar me sot
28/12/2025 16:17- Haradinaj thirrje KEDS-it: Mos të ndërpritet energjia gjatë votimit dhe numërimit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media ka deklaruar se procesi zgjedhor po shkon shumë mirë dhe dalja e qytetarëve është e kënaqshme.
“Kanë mbetur më pak se tre orë. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar ende ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur parregullsi të lajmëruara, por theksoi shqetësimin për ndërprerjet e energjisë.
28/12/2025 15:58- Radoniqi: Procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht, pavarësisht ndërprerjeve të rrymës
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka mbajtur në konferencë për media për daljen e votuesve deri në ora 15:00.
Ai po ashtu bëri të ditur se probleme me energji elektrike po vazhdon të ketë, por që ka intervenuar KEDS-i.
“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së nga qendrat e ndryshme të votimit jemi duke pranuar se si është duke shkuar procesi zgjedhor”, tha Radoniqi.
“Sipas këtij raporti, u bë e ditur se kishte mungesë të energjisë në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës dhe dy qendra të tjera në Obiliq dhe Novobërdë”.
“Për të gjitha këto raste është informuar KEDS-i dhe intervenimi ka qenë në kohë rekorde”.
“Nga të dhënat preliminare që kemi marrë nga 96 për qind e qendrave të votimit, dalja është 28.65 për qind”.
“Sipas të dhënave nga Zgjedhjet Parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, dalja ishte 28.32 për qind”, shtoi kreu i KQZ-së.
28/12/2025 15:35- Stavileci: Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, kjo ditë po shkon drejt një rezultati historik për PDK-në
Blerand Stavileci Blerand Stavileci nga PDK ka deklaruar sot se dita e zgjedhjeve është e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke theksuar se deri në orët e fundit të procesit zgjedhor, të dhënat nga terreni janë pozitive për partinë e tij.
“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit,” ka thënë Stavileci gjatë një konference për media.
Ai theksoi se më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja dhe mbështetja për PDK-në po tregojnë trend pozitiv.
“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat nga terreni janë pozitive. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim,” u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, rezultatet preliminare po e çojnë këtë ditë drejt një suksesi të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës.
28/12/2025 15:26- KQZ: Deri në ora 15:00 kanë votuar 27.95 për qind e qytetarëve
Qytetarët e Kosovës u janë drejtuar për herë të katërt kutive të votimit, pasi aktualisht janë duke votuar për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Më 9 shkurt, asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte shumicën, duke bërë që vendi të futej në një bllokadë mbi nëntë muaj.
Kur jemi tek Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ofruar shifrat se sa qytetarë kanë votuar.
Deri në ora 15:00, 27.95 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar, raporton Telegrafi.
28/12/2025 15:06- Në moshën 71-vjeçare voton për herë të parë qytetari nga Vrella e Istogut
Në qendrën e votimit në shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut, qytetari Hasan Demaj ka ushtruar sot për herë të parë të drejtën e tij të votës, në moshën 71-vjeçare.
Demaj ka deklaruar se gjatë një periudhe të gjatë ka jetuar jashtë vendit, ndërsa tash e pesë vite është kthyer në Kosovë, ku jeton në Vrellë pas daljes në pension.
“Nuk kam votuar kurrë më parë. Kjo është hera e parë që votoj, në moshën 71-vjeçare. Kam jetuar jashtë, tash jam në pension dhe prej pesë vitesh jam kthyer në Vrellë. Pres fitoren e personit që dua dhe për të cilin kam dalë të votoj,” ka thënë Demaj.
28/12/2025 14:50- S’i lejohet ta ndihmojë bashkëshorten, qytetari në Prizren shqyen fletëvotimin
Një incident është shënuar sot në qendrën e votimit në shkollën “Mustafa Bakija” në Prizren, ku një qytetar i moshuar ka shqyer fletëvotimin gjatë procesit të votimit.
Sipas Policisë, qytetari ka reaguar në shenjë revolte pasi komisioni zgjedhor nuk e ka lejuar ta ndihmojë bashkëshorten e tij gjatë votimit.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes.
28/12/2025 13:51- DnV: Procesi i qetë, por me parregullsi – ankesa për lista votuesish, asistencë dhe dokumente të pavlefshme
Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 13.7% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,35%). Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, 15%.
Tutje thuhet se në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 22% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
“Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,999,204 qytetarë, ose 28,260 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025. Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ishte 14.5%”, thuhet në njoftim.
Sipas vëzhguesve të DnV-së është raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.
Ndërkaq, deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 35% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjekësore.
28/12/2025 13:48- Prokuroria e Shtetit monitoron procesin zgjedhor përmes dhomës operative
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, vizitoi sot dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjatë vizitës, ai u prit nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula e cila e informoi për nga afër lidhur me funksionimin, angazhimet dhe rolin e dhomës operative në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
U.D. Kryeprokurori Qalaj u njoh me punën që po zhvillohet në këtë dhomë, e cila ka për qëllim mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
28/12/2025 12:43- Osmani: Rezultatet e zgjedhjeve duhet të sjellin parlament dhe qeveri të re sa më shpejt
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kryer obligimin e saj qytetar duke votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vendit.
Pas votimit, Osmani u shpreh se shpreson për një proces zgjedhor të qetë dhe të rregullt, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve.
“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta e demokratike. Uroj që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj që në rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë të Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme dhe të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë. Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe që angazhohen edhe gjatë ditës së sotme që ky proces zgjedhor të jetë sa i më rregullt nga KQZ-ja tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë”, ka thënë Osmani.
28/12/2025 12:05- Radoniqi: Ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se 8.27 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në ora 11:00, derisa ka pasur ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna.
“Procesi i votimit në të gjitha komunat është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, dhe deri më tani kur flasim, nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar”, tha Radoniqi, raporton Telegrafi.
“Çdo informacion që kemi, jemi duke e pranuar me seriozitet të plotë dhe në bazë ligjore”.
“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit që i takojnë gjashtë komunave si: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Gjilan dhe Graçanicë”.
28/12/2025 11:46- KQZ: Deri në ora 11:00 kanë votuar 8.48 për qind e qytetarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 11:00, dalja e qytetarëve për të votuar është 8.48%.
28/12/2025 10:57- Abdixhiku: Qytetarët të votojnë për largim nga zymtësia dhe bllokada
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është drejtuar qytetarëve që të dalin të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Ai ka thënë se qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhmen euroatlantike.
“Është një ditë e mirë, ditë e mbarë dhe shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, tha Abdixhiku.
“Uroj që qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet, për të ardhme euroatlantike dhe të largohen nga zymtësia dhe bllokada që na ka shoqëruar në këto vite”.
“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, shtoi më tej ai.
28/12/2025 10:31- KQZ: Deri në ora 10:00 kanë votuar 2.64 për qind e qytetarëve
Në Kosovë është duke u mbajtur procesi i votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Nga 9 shkurti, atëherë edhe kur ishin mbajtur zgjedhjet e rregullta, asnjëra parti nuk arriti të krijonte shumicën, duke quar vendin në bllokadë për mbi nëntë muaj.Andaj, qytetarët u janë drejtuar edhe njëherë kutive të votimit, për të përcaktuar se kush do ta drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme - derisa kjo është hera e katërt që qytetarët votojnë, duke llogaritur Zgjedhjet Lokale dhe balotazhin.
Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur në konferencën për media në ora 08:00, se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, raporton Telegrafi.

Tani, ueb faqen e KQZ-së, janë bërë publike shifrat se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 10:00.
Sipas Komisionit, dalja e qytetarëve deri në ora 10:00 është 2.64 për qind.
Komuna që prin me më së shumti dalje deri në këtë orë është Mitrovica Veriore, me 8.60 për qind.

28/12/2025 10:29- Hamza: Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i është drejtuar qytetarëve të vendit pasi që ushtroi të drejtën për të votuar.
Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre, për të përcaktuar se kush do të udhëheq me vendin në katër vitet e ardhshme.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.
“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.
Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi: “Jo, deri më tani nuk ka dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”.
28/12/2025 10:04- Voton Albin Kurti, fton qytetarët të dalin në votime
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.
Pas votimit, Kurti theksoi rëndësinë e kësaj dite për vendin dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
“Porsa votova këtu në Fakultetin Ekonomik për legjislaturën e 10-të të Kosovës. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, andaj ftoj qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm", u shpreh Kurti.
28/12/2025 10:02- Haradinaj u bën thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
Nën shoqërimin e nënës së tij, Rukës Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.
Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.
“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krahë Kosovës gjithë”, tha Haradinaj.
28/12/2025 09:28- KQZ: Deri në ora 09:00 kanë votuar 1.75 për qind e qytetarëve
Në Kosovë është duke u mbajtur procesi i votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur në konferencën për media në ora 08:00, se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, raporton Telegrafi.
Tani, ueb faqen e KQZ-së, janë bërë publike shifrat se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00.
Sipas Komisionit, dalja e qytetarëve deri në ora 09:00 është 1.75 për qind.
Komuna që prin me më së shumti dalje deri në këtë orë është Ranillugu, me 4.32 për qind.
Pjesëmarrjen në votime në kohë reale mund ta shikoni këtu:
28/12/2025 09:00- DnV: Procesi i votimit nisi me disa parregullsi të vogla
Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.
DnV thekson se vëzhguesit e tyre gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i numërimit të votave për subjektet politike. Vëmendje do t’i kushtohet respektimit të procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshehtësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët me të drejtë vote.
“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve”, thuhet në njoftim.
Sipas DnV-së, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në afërsi të 3% të Qendrave të Votimit.
Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:
28/12/2025 08:56- Prokuroria: Denonconi çdo keqpërdorim apo manipulim të votës
Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vend janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.28/12/2025 08:34- KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për media për të treguar rreth asaj se si ka nisur procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Ai bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa shifrat e para se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00, do të nisin të shfaqen pas orës 09:00, duke vazhduar më tej me përditësime.
“Materialin zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e vendvotimit. Procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha qendra, 2614 vendvotime, prej te cilave 914 janë qendra kryesore, 38 qendra (nga një për çdo komunë) për të mundësuar votimin me kusht”, tha Elezi, raporton Telegrafi.
28/12/2025 07:40- Radoniqi sqaron procesin e votimit me asistencë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi votoi sot në Pejë në zgjedhjet nacionale sqaroi edhe mënyrën e votimit me asistencë dhe ata që nuk dinë shkrim dhe lexim.
Ai theksoi se për votim me asistencë çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqes një dokument përkatës që dëshmon se ai nuk ka mundësi të votojë vetë.
“Për votim me asistencë çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqes një dokument përkatës që dëshmon se ai nuk ka mundësi të votojë vetë…për personat që nuk dinë shkrim dhe lexim nuk ka rregulla ligji këtë kategori në 2023 e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. Sa i përket KQZ kemi një procedurë standarde edhe për këta persona, këtyre nuk iu mohohet e drejta e votimit për këtyre personave asistimi nuk mund të bëhet prapa kutisë së votimit asistimi i tyre bëhet vetëm deri tek kutia e votimit", tha ai.
28/12/2025 07:20- Kryetari i KQZ-së, Radoniqi fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi ka hedhur votën e tij sot në Pejë për zgjedhjet nacional u ka bërë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Radoniqi në një deklaratë për media tha se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndonëse koha ishte e shkurtër dhe kishte sfida.
“Nga ana e KQZ-së të gjitha përgatitjet janë bërë përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pas, kemi arritur që procesi të fillojë me kohë, trajnimet, çështjet logjistike janë përfunduar me kohë...”, tha ai, raporton Telegrafi.
28/12/2025 06:49- Mbrojtja e votës, rreth 100 prokurorë sot në detyrë
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
28/12/2025 06:46- Zgjedhjet sot, Policia me plan operativ për mbarëvajtjen e tyre
Policia e Kosovës me qëllim të mbarëvajtjes së ditës së zgjedhjeve ka hartuar dhe është në zbatim të urdhrit operativ ‘Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës’.
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës janë mbajtur dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e urdhrit operativ lidhur me procesin zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike info@kosovopolice.com apo në stacionet policore më të afërta.































