LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Serbia afër marrëveshjes për energjinë, ndërkaq s’ka pajtueshmëri targat

Kosova dhe Serbia afër marrëveshjes për energjinë, ndërkaq s’ka pajtueshmëri targat
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes për energjinë, por që ende nuk kanë pajtueshmëri për një marrëveshje përfundimtare për çështjen e targave të automjeteve.

Në një intervistë për mediumin serb “N1”, Bislimi ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është duke u zhvilluar me shpejtësinë që Kosova ka pritur.

“Po ecën ngadalë kryesisht për shkak të strategjisë së zgjedhur dukshëm nga negociatorët e Beogradit, e cila krijon pengesa. Këtu përfshihet marrëveshja energjetike dhe targat”, tha ai, duke shtuar se pret që pala serbe të bëjë hapin përfundimtar për marrëveshjen për energjinë.


Bislimi ka thënë se negociatorët serbë kanë refuzuar të zgjedhin një nga opsionet e ofruara për çështjen e targave.

“Kishte tre opsione dhe nëse të dy delegacionet zgjidhnin opsione të ndryshme, zyrtarët e lartë do t’i bashkonin të dyja, por pala serbe refuzoi të zgjidhte dhe zgjodhi pengimin”, tha Bislimi.

Sipas Bislimit, Beogradi po krijon një problem duke e përdorur çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Pengesat për zbatimin janë krejtësisht artificiale pasi Serbia nuk ka zbatuar dy herë më shumë marrëveshje nëse krahasohet me Kosovën. Ata nuk kanë kredibilitet të kërkojnë asgjë nga Kosova. Beogradi ka rënë dakord me ish-qeverinë e Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje si pjesë të një pakete të përgjithshme”, citohet të ketë thënë Bislimi.

Më tej ai ka theksuar se Kosova është e obliguar të zbatojë marrëveshjet ekzistuese por shtoi se disa marrëveshje të nënshkruara janë vetëm të përkohshme.

Marrëveshja për energjinë e arritur në vitin 2013, është njëra prej temave të cilat mbesin me ngecje të theksuara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pagesa e shpenzimeve të rrymës për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dilemat rreth shfrytëzimit të kapacitetit të Liqenit të Ujmanit dhe vonesat deri në funksionalizimin e linjës së njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri”, janë vetëm disa nga telashet që janë prodhuar.

INTERVISTA E PLOTË

N1: A pajtoheni që dialogu me Serbinë është i bllokuar dhe nëse po, ku ka ngecur?

Bislimi: Nuk e di se në çfarë mase mundet me u konstatu që është blloku dialogu. Ajo që ndoshta më mirë kishte me përshkru gjendjen e dialogut është të thuhet se nuk po ndjek ritmin që pala kosovare synon apo shpreson që të ketë e ky zvogëlim i ritmit vjen kryesisht për shkak të strategjisë që si duket e ka zgjedhur pala negociatore nga Beogradi, të cilët nxjerrin pengesa të panevojshme në proceset nëpër të cilat po kalojmë. Kjo vjen përshembull edhe për marrëveshjen për energjinë dhe për marrëveshjen për targat. Ju e dini se fokusi kryesor i dialogut duhet të jetë normalizimi i përgjithshëm përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, por krahas saj jemi detyruar të merremi me disa trashegimi nga e kaluara. Një nga këto trashëgimi ka të bëjë me ish marrëveshjen për targat e cila ka pas një afat skadence në vitin 2021 dhe është dashur rrjedhimisht të gjendet modeli për periudhën vijuese dhe pjesa tjetër ka të bëjë me marrëveshjen për energjinë e cila si pasojë e mosimplementimit ka sjellë një situatë ku qytetarët e 4 komunave në veri të Kosovës, për 20 vite me radhë kanë konsumuar biproporcionalisht por nuk kanë paguar fare për konsumin e energjise. Edhe për ne ka qenë e rëndësishme që këto dy tema të kryhen sa më shpejt në mënyrë që të hapet terreni për fillimin e bisedave serioze për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe të dërgohet mesazhi edhe tek qytetarët e Kosovës edhe tek qytetarët e Serbisë që dialogu është një proces i rëndësishëm për të normalizu raportet mes dy shteteve.

N1: Cila është natyra e këtyre pengesave të cilat Serbia deri tani ka ndërmarrë?

Bislimi: Përshembull tek marrëveshja për energjinë ne kemi propozuar një udhërrëfyes dhe intervenimet që ka propozuar pala serbe që nga dita e parë, në fakt nuk kanë qenë të tilla të cilat do të kishin prekur shumë substancën, por kanë qenë ose propozime që teknikisht kanë qenë të pamundura, të palogjikshme ose propozime që vetëm kanë synuar të blejnë kohë. Përshembull në propozimin fillestar, ne kemi konstatuar që mjaftojnë 45 ditë deri te normalizimi i situatës me furnizim dhe inkasim të konsumit të energjisë në komunat veriore. Ka qenë pala serbe e cila ka konstatu se atyre u duhen 90 ditë për të normalizu në tërësi procesin e pastaj kur ne e kemi akomoduar këtë kërkesë, e njëjta palë ka ardhur dhe ka thënë, jo, ne na duhen 180 ditë në vend të 90 ditëve. Diçka të ngjashme e kemi pa edhe te marrëveshja për targat, përshembull fillimisht ne kemi menduar se 3 muaj i mjaftojnë grupeve punuese për të ardhur me një marrëveshje e cila përbën një zgjidhje të përhershme e në bazë të standarteve dhe praktikave më të mira të BE, por pala e Serbisë ka thënë se 3 muaj do ishte problem për arsye se ata do të duhej të vinin me një zgjidhje finale para zgjedhjeve të 3 prillit e kjo do të ishte praktikisht e kushtueshme, e kanë kërku që afati të caktohet ashtu që zgjidhja të gjendet pas zgjedhjeve, e kur ne e kemi akomodu këtë kërkesë, ata për 6 muaj nuk kanë dhënë asnjë propozim, thjesht kanë sabotuar procesin dhe në fund kanë ardhur dhe kanë thënë se na duhen dhe 6 muaj për arsye se është problem që zgjidhja të kërkohet pas zgjedhjeve, para zgjedhjeve do kishte qenë e mundshme. Eshtë një lloj obstruktiviteti por që nuk është as i sofistikuar, duket qartë se ka qëllime që janë krejtësisht apo diametralisht të kundërta me ato të palës kosovare dhe të Brukselit dhe synojnë vetëm bllokimin e gjetjes së një zgjidhje të përhershme.

N1: Më herët, keni theksuar se ka përparim në marrëveshjen e energjisë. A ka diçka konkrete që mund të ndani në këtë pikë me ne?

Bislimi: Udhërrëfyesi për energjinë është final. Do të thotë nuk ka më asnjë hapësirë për ndryshim të asnjë paragrafi nga 9 paragrafe sa përbën ky opsion. Ka mbetur vetëm një hap që të përfundohet nga ana e palës serbe e i cili presim të finalizohet gjatë javës së ardhshme e pastaj unë besoj që nuk ka asnjë arsye asnjëra palë që të thotë që nuk mund të fillojmë menjëherë me implementimin e marrëveshjes. Do të thotë gjithçka është e finalizuar ka vetëm edhe një kërkesë shtesë e cila nuk e prek marrëveshjen, e ne jemi dakorduar që aty këtu t’ua heqim edhe këtë palës serbe dhe pritet që kjo të përfundohet nga fundi i javës së ardhshme, por nuk mund të ndaj më shumë se për çfarë bëhet fjalë.

N1: Ndonjë afat se kur pritet të fillohet me implementimin e kësaj marreveshjeje?

Bislimi: Tash menjëherë pasi ne të deklarojmë se jemi dakort me fillimin e implementimit, hapi i parë që do të bëhet është që rregullatori i energjisë në palën e Kosovës duhet të ndërmarrë vendimet e para e pastaj fillon implementimi i paragrafëve të tjerë të marrëveshjes dhe për gjithë këtë janë paraparë komplet 100 ditë.

N1: A do të takoheni javën e ardhshme, apo i takon palës tjetër për ta vendosur?

Bislimi: Hapi tjetër që është kërkuar nuk kërkon involvim direkt nga pala jonë, do të thotë si i tillë nuk përbën ndonjë negocim apo rinegocim andaj nuk ka nevojë që ne të jemi pjesë e këtij hapi shtesë që ka kërku pala serbe.

N1: E dijmë që afati për marrëveshjen e targave ka skaduar. Pse në këtë pikë nuk ka marrëveshje?

Bislimi: Tash tek puna e targave situata është pak më e komplikuar. Për gjetjen e marrëveshjes finale ne kemi pas afatet kohore e kjo është dashur të finalizohet me 21 prill. Fatkeqësisht grupet punuese me 21 prill nuk kanë arrit me na sjell një rekomandim për zgjidhjen finale për arsye se pala serbe ka refuzu të pozicionohet për çfarëdo opsioni. Do të thotë ne kemi pas disa opsione të cilat i kanë plotësu këto dy kritere, gjithsej trisosh, edhe është dasht që secila palë të zgjedhi një prej këtyre opsioneve e në rast se zgjidhet opsioni i njëjtë atëherë kalohet në implementim, në rast se opsionet nuk janë të njëjta pastaj negociatorët ose krerët e shtetit do të duhej që bashkarisht t’i bashkonin opsionet këto dy opsione në një të vetëm, por pala serbe ka refuzuar të pozicionohet komplet dhe ka zgjedhur obstruksionin si zgjidhje. Pastaj, pasi ne kemi deklaruar bisedimet si të dështuara, i kemi hapur rrugë palës kosovare të dalë me dizajnimin e programit të vet si pergjigje nga kjo mosarritje e marrëveshjes, ka pas një kërkesë nga z. Petkovic që të takohemi sërish në Bruksel me premtimin e dhënë edhe me shkrim që ai do vijë me një propozim konkret që përbën zgjidhje të përhershme dhe është në harmoni me standartet më të mira të BE. Z. Lajcak dhe unë kemi dhënë këtë mundësi, kemi shku në Bruksel prapë me 13 maj por për habinë tonë, negociatori serb ka ardhë në Bruksel dhe nuk ka prezantu kurrfarë zgjidhje. E ka shfrytëzu mundësinë për me iu adresu publikut, për me thënë që se si pala serbe është konstruktive, ka ardhë në Bruksel, por në fakt ideja e takimit ka qenë që ai të vijë me një propozim konkret, që nuk e ka bërë. Ka ndodh një lloj mashtrimi i paskrupullt që ai i ka bërë edhe fasilitatorit për arsye se z. Lajcak është fut si garant për suksesin e takimit duke thënë se, po, kam konfirmimin me shkrim nga z. Petkovic që do vijë me një propozim konkret dhe zgjidhja do jetë e mundshme atë ditë. Por nuk ka ndodh. Tani ne jemi në proces të dizajnimit të planit alternativ qe do ketë në tërësi elementet e reciprocitetit. Na vjen keq që nuk kemi mundur të avancojmë drejt një sjellje normale, për arsye se titulli i dialogut në Bruksel e ka emrin dialog për normalizim të raporteve dhe Serbia po vazhdon me sjellje abnormale. Kjo pastaj na detyron neve që të dalim me një projekt alternativ të cilin me qejf nuk do e kishim propozu për arsye se ne mendojmë që është koha të fillojmë të sillemi normal në raportet me njëri tjetrin.

N1: Rreth kësaj marrëveshjeje keni thënë se ka obstruksione. A i përkasin ato natyrës së simboleve, shtetësisë e të tjerë?

Bislimi: Ne nuk e dimë, për arsye se pala serbe nuk ka dhënë kurrfarë propozimi. Ata thjesht nuk kanë thënë që ne e duam një zgjidhje që e adreson çështjen e akronimit, nuk kanë thënë që kemi zgjidhje që adreson çështjen e simboleve, thjesht kanë refuzu të japin pergjigje, prandaj dhe ka qenë e vështirë edhe për z. Lajcak që të vazhdojë bisedimet, sepse nuk e kemi ditur se ku notojmë, një qasje e tillë ka qenë e pakuptueshme për secilin prej nesh. Do të thotë ti organizon 7 takime, e për 7 takime nuk je në gjendje me nxjerrë një propozim. Mendoj që i takon palës serbe me shpjegu pse kanë zgjedh këtë rrugëtim të bojkotit dhe sjelljes komplet të papërgjegjshme në proces.

N1: E dijmë që njëra nga pikat kyçe është Asociacioni. Kosova nuk do që ta zbatojë këtë marrëveshje. A ekziston ndonjë alternativë që e ka përmendur dhe Eurodeputetja Von Kramon?

Bislimi: Tash Brukseli ka prodhu 33 marrëveshje. Nuk ka pas asnjëherë asnjë tentativë që këto marrëveshje të rankohen në bazë të prioritetit. Rrjedhimisht e vetmja mënyrë se si mundesh me i trajtu është kronologjikisht sipas momentit të nënshkrimit ose kanë rëndësinë e njëjtë. Veçimi i kësaj marrëveshje dhe prezantimi si i një problemi është artificial, do të thotë zhurma që ka ngrit Beogradi për pengesa në implementim janë komplet artificiale për arsye se Serbia nuk ka implementuar dyfish më shumë marrëveshje sesa kjo. Duke qenë se ata nuk kanë implementu shumicën e marrëveshjeve për të cilët kanë marrë obligime në Bruksel, ata kanë zero kredibilitet moral me kërku diçka nga pala kosovare. Për më tepër, Beogradi ka qenë i dakorduar me ish qeverinë Hoti që çështjen e Asociacionit ta trajtojë si pjesë të pakos së përgjithshme, do të thotë ata vetë janë dakordu që të mos trajtohet në këtë moment por të bëhet pjesë e pakos së përgjithshme, ndërkaq në terren ajo që ka ndodh është se grupi i menaxhmentit i cili është krijuar nga Qeveria e Kosovës më herët, me idenë që deri në gusht të vitit 2018 të dorëzojë një draft të statutit dhe ka pas 4 anëtarë dhe të gjithë të nacionalitetit serb, ata kanë deshtu. Do të thotë ka qenë detyrë e tyre të prodhojnë një dokument të cilin do ua kishin dërgu institucioneve kosovare dhe vetëm pas marrjes së aprovimit ky dokument pastaj do të ishte diskutuar në Bruksel. Në vend të punës në këtë grup, Beogradi ka zgjedhur që individët brenda këtij grupi t’i korruptojë duke ofruar pozita menaxheriale në Beograd. Kryesuesja e këtij grupi ka qenë znj. Danijela Vujicic e cila pastaj është bërë anëtare e parlamentit serb, si një lloj shpërblimi për korruptimin e saj brenda grupit, e kjo ka qenë edhe obstruksion i hapur. Ajo që kemi deklaru si Qeveri në vazhdimesi është që, udhërrëfyes i Kosovës, në pjesën e mbështetjes së të drejtave të minoriteteve është kushtetuta e cila buron nga plani i përgjithshëm apo gjeneral i Z. Ahtisaari. Ky plan parasheh këto elemente të sigurisë apo mbështetjes shtesë për minoritetet të cilat nuk i gjen në asnjë kushtetutë të BE e as në vendet e rajonit. Ne kemi 10 komuna të cilat kanë shumicë serbe nga 38 komuna sa kemi në tërësi, që është dikund afërsisht mbi 20% të komunave, përkundër faktit që në Kosovë ka më pak se 5% pjesëtarë të komunitetit serb. Ne kemi në Kosovë 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, 10 nga 120 që është 8.3% përkundër faktit që kjo është dyfishi i përbërjes etnike të serbëve në Kosovë. Ne kemi një obligim që për çdo ligj, projektligj apo strategji që prek të drejtat e minoriteteve, në parlament duhet të ketë vota dyfish, do të thotë duhet të nevojitet edhe shumica e deputetëve serb. Kemi një decentralizim asimetrik që komunave serbe ua ofron kompetenca të shtuara në fushën e edukimit, shëndetësisë, rendit publik dhe ligjit. Do të thotë ka një kornizë e cila ofron një asimetri me të drejta shtesë për minoritetet të cilat jo vetëm që nuk i ka Serbia për minoritetet e saj, por nuk i kanë as vendet më të avancuara të BE. Rrjedhimisht, ne mendojmë që minoriteti serb është i pajisur me të gjitha instrumentet ligjore për të ofruar siguri të mjaftueshme edhe hapësirë për integrim në jetën politike. Poashtu kemi dhe kuota për punësim në minoritete të cilët edhe nuk përmbushen për arsye se minoriteti serb ose ka presion nga Lista Srbska apo nga Beogradi për t’u kyçur në institucione si përshembull në Forcën e Sigurisë të Kosovës apo Policisë së Kosovës dhe kjo pastaj kushtëzohet edhe me disa transfere apo heqjen e transfereve nga Beogradi, ose preferojnë të kyçen në këto institucione por mos të dalin në punë, vetëm se për të marrë transfere se pastaj është e pamundur të përmbushen nga ana jonë. Ajo që ne kemi deklaruar në vazhdimësi në Bruksel është që ne jemi të interesuar të trajtojmë edhe modalitete shtesë për mbrojtjen e minoriteteve në tërësi, por duke marre si shembull Serbinë. Nëse Serbia kërkon të drejta shtesë për minoritetet në Kosovë, ata duhet të na dëshmohen si model i mirë, i avancimit të të drejtave të minoriteteve dhe duhet të na tregojnë se çfarë hapësirash i ofrojnë minoriteteve në Serbi dhe ne mund t’i adoptojmë ato në Kosovë. Ajo që duhet të ndodhë është se avancimi i mëtejmë i mekanizmave integrues të minoriteteve duhet të bëhen në një ambient ku askush nuk e konteston sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial. Për aq kohë që Serbia ende pretendon se Kosova është pjesë e saj edhe punon për ç’njohje dhe pengimin e njohjeve dhe integrimin e Kosovës drejt BE-së, ajo tregon se ka pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht për ne është e vështirë pastaj që në këtë kontekst të bëjmë lëshime apo të krijojmë mekanizma të cilët do të keqpërdoreshin në funksion të atyre pretendimeve territoriale.

N1: Megjithatë, marrëveshja për Asociacionin ekziston. A mendoni se kjo e obligon Kosovën që të njëjtën ta zbatojë?

 Bislimi: Unë ju thashë ju që në Bruksel janë nënshkru 33 marrëveshje, që rrjedhimisht burojnë dhe 33 obligime. Eshtë qëndrim edhe i Brukselit që nga këto 33 marrëveshje lista e shkeljeve apo mosimplementimit nga Serbia është dyfish më e gjatë apo më e madhe se ajo e mosimplementimit nga pala kosovare. Rrjedhimisht në këtë kontekst mund të bisedojmë, a kemi obligime të papërmbushura dhe cila palë ka më shumë. Andaj dhe presioni për të qenë aktiv në implementimin e marrëveshjeve bie mbi Beogradin, jo mbi Kosovën e poashtu duhet kuptuar që një pjesë e marrëveshjeve janë nënshkruar në kontekst dhe kanë pas karakter të përkohshëm. Përshembull është qëndrim dhe i personave që kanë qenë të involvuar që asociacioni është kuptuar në atë kohë si një lloj mekanizmi i përkohshëm që kishte me lehtësu integrimin e palës serbe, por kjo marrëveshje është nënshkru në vitin 2013, tani jemi në vitin 2022. Kjo periudhë 9 vjeçare ka tregu se nuk ka pas kurrfarë pengese për integrimin e komunitetit serb dhe nëse ka pas ato kanë patur burim nga Lista Srpska dhe Beogradi që ka pengu integrimin e tyre. Rrjedhimisht, një pengesë që vendoset nga Beogradi nuk mund të adresohet me mekanizma nga Prishtina. Por marrja e një prej marrëveshjeve, avancimi i saj në marrëveshje më të rëndësishme të dialogut i ka dy mesazhe jo të mira. E para, asociacioni është parapa si një mekanizëm joqeveritar pa kompetenca ekzekutive. Nëse pala serbe pretendon se produkti më i rëndësishëm i dialogut në Bruksel ka qenë asociacioni, është një devaluim komplet i procesit. Si ka mundësi që 10 vite dialog kanë prodhuar marrëveshje të tilla ku më e rëndësishme është një OJQ. Kjo nënkupton që marrëveshje të tjera për Beogradin janë edhe më pak të rëndësishme. Ose mesazhi tjetër që është edhe më problematik, është që duket se ka një diskrepancë mes asaj se çka është mendu në Bruksel me asociacionin dhe asaj çka janë qëllimet e Beogradit me asociacionin. Nëse ju thoni se asociacioni është instrumenti apo marrëveshja më e rëndësishme që ka prodhu dialogu, atëherë qartazi ju keni pritje të tjera prej asaj që ka qenë fryma e marrëveshjes. Znj. Mogherini që ka udhëheq dialogun në vitin 2015 e tutje ka dërguar dhe shkresa zyrtare ku thuhet se asociacioni do ketë 0 kompetenca ekzekutive. Atëherë pse një mekanizëm me 0 kompetenca ekzekutive, shihet si prodhimi më i rëndësishëm i dialogut. Qartazi ju keni pritje të tjera dhe plane të tjera me atë që do të duhet të na shërbenin si alarm edhe ne në Kosovë por edhe ata në Bruksel të cilët kanë potencuar në vazhdimësi nevojën e implementimit të kësaj marrëveshjeje.

N1: A planifikon Qeveria e Kosovës të dalë me një plan alternativ për këtë marrëveshje?

Bislimi: Unë e ceka më herët që ne jemi të interesuar të diskutojmë mekanizmat më të mirë që sigurojnë avancim dhe mbrojtje të interesave të minoriteteve, por pasi të sigurohemi që askush në rajon nuk e konteston integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për mekanizma që integrojnë minoritetet jo asociacione që izolojnë minoritetet. Ne kemi bërë edhe më herët prezantim të ideve edhe para bashkësisë ndërkombëtare por edhe para serbëve lokal për mekanizma apo fonde që mundësojnë integrimin e komunave. Kur themi integrime, nuk mund të integrohet komuna e Ranillukut duke bashkëpunu me komunën e Graçanicës. Ajo mund të integrohet duke bashkëpunu me komunën e Dardanës, pra një komunë që ka shumicë shqiptare. Nuk mundet komuna e Shterpës me u integru duke bisedu apo aranzhu bisedime me komunën e Mitrovicës së Veriut, por duke u integru me komunën e Ferizajt, prandaj ky fond synon ose do të synojë në të ardhmen që të krijojë mundësitë që institucionet komunale, komuniteti i biznesit apo shoqatat joqeveritare apo shoqëria civile mes komunave me përkatësi të ndryshme etnike si etnicitet kryesor, të bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe të integrohen më shumë në shoqëri.

N1: Një nga temat aktuale është aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Si është pritur kjo nga vendet perëndimore dhe a mund të ndodhë që pranimi i Kosovës të kushtëzohet me kthimin e tokës së Manastirit te Deçanit?

Bislimi: Ne kemi dërguar aplikacionin në Këshillin e Evropës në datën 12 maj dhe mendoj se jemi vonu, është dasht edhe më herët. Ne jemi pjesë e Evropës, KE nuk mund të jetë komplet përderisa ka shtete brenda Evropës që nuk janë pjesë e saj. Anëtarësimi i Kosovës në KE e kompleton Këshillin si të tillë, por edhe sjell benefite shtesë për qytetarët e Kosovës përfshirë ata të minoritetit serb të cilët pastaj e kanë një mekanizëm shtesë ku mund të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre para Gjykatës Evropiane, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne veç jemi anëtarë i shumicës së mekanizmave të Këshillit të Evropës, shembull Komisioni i Venedikut, Bankës Zhvillimore të KE e të tjerë. Rrjedhimisht aplikimi është diçka krejtësisht e natyrshme. Ajo që nuk ka qenë e natyrshme është se Kosova nuk ka qenë pjesë. Pjesë e Këshillit të Evropës është Serbia e cila në vazhdimësi ka kriju tensione në rajon, ka nis 3 luftra në rajon, ka qenë Rusia e cila momentalisht shkel të drejtat e njeriut në mënyrë masivike në shumë vende brenda dhe jashtë territorit rus, por nuk është Kosova e cila është model i demokracisë, është kriju nga intervenimi apo falë dhe intervenimit të forcave më demokratike të botës, por nuk ka qenë pjesë e një mekanizmi që e promovon demokracinë. Tash brenda KE ka 3 lloje të shteteve. Shumica apo 34 sosh nga 46 e kanë njohur Kosovën në plotni dhe sovranitetin territorial dhe rrjedhimisht ato e kanë njohur Kosovën në plotni dhe sovranitetin territorial dhe rrjedhimisht ata e kanë njohur Kosovën si shtet i plotë. Duke qenë se e kanë njohur nga kjo perspektivë, do të ishte e palogjikshme nëse njëra prej tyre do të thoshte që po, iu njohim si të pavarur por nuk mendojmë se keni të drejtë të bëheni pjesë e familjes evropiane në Këshillin e Evropës. Për arsye se nuk ka pas kushtëzime të tilla me asnjë shtet tjetër. Shtete të cilat janë mosnjohëse por janë miqësisht të orientura ndaj Kosovës, janë 5 vendet e BE, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Këto shtete kanë leju Kosovën që në vitin 2015 të nënshkruajë MSA që rrjedhimisht nënkupton që ato e kanë të qartë që Kosova është shtet i pavarur dhe që ka një perspektivë evropiane dhe kanë deklaruar se nuk e pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Nuk e pengojnë avancimin e Kosovës në këtë drejtim, dhe rrjedhimisht do ishte e palogjikshme që të mos e votonin anëtarësimin e Kosovës atje. Por duhet të kuptojmë që ne na duhen vetëm 31 vota për të qenë anëtarë. Pastaj është grupi i shteteve që janë rreshtuar krahas Serbisë. Edhe këtu kemi një problem. Serbia e ka nënshkuar MSA me BE pa Kosovën. Domethënë e ka pranu publikisht se i mashtron qytetarët e vet kur deklaron që Kosova është pjesë e Serbisë dhe i mashtron me kushtetutën e cila është akti më i lartë me të cilen veprojmë, për arsye se edhe në nivel ndërkombëtar ka marrë obligime, kur e din që Kosova nuk është pjesë e atyre obligimeve. Edhe dy, ata kanë hyrë në një proces të dialogut me Kosovën i cili e ka titullin normalizim të raporteve dhe i cili për bazë e ka rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që thotë, e morëm vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që thotë se Kosova e ka shpall pavarësine pa i lëndu principet apo ligjet ndërkombëtare të drejtësisë dhe i fton të dy shtetet të normalizojnë raportet e tyre. Për me i normalizu raportet, nënkupton që ne duhet të sillemi normal. Shtetet që sillen normal me njëra tjetrën nuk e pengojnë njëra tjetrën në avancimin e të drejtave qytetare. Për më tepër Serbia ka nënshkruar me Kosovën një marrëveshje me 19 prill 2014, ku njëri prej paragrafëve thotë kështu: asnjëra palë nuk do e pengojë palën tjetër, apo do të inkurajojë palë të treta që të pengojnë njëra tjetrën në rrugëtimin e tyre drejt BE. Ajo që ne po bëjmë është ta vendosim në jetë atë paragraf, ne po rrugëtojmë drejt BE. Ajo që Serbia po bën është ta lëndojë atë paragraf për arsye se po pengon dhe po inkurajon palë të treta ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt BE. Ne ftojmë Serbinë që të fillojë të sillet në mënyrë normale, ta kuptojë që jemi në vitin 2022 dhe ta kuptojnë që paqja dhe stabiliteti në rajon varet në masë të madhe edhe nga sjellja e përgjegjshme e Qeverisë së Serbisë në raport me vendet e tjera të Ballkanit. Ata mendoj që kanë nevojë përfundimisht ta kuptojnë se ku i kanë kufinjtë e tyre dhe të fillojne t’i tregojnë qytetarëve të tyre që shtetet përreth nuk janë vetëshërbim ku ti mund të shërbehesh me territor. Por as nuk janë vatra ku ti duhet të destabilizosh edhe eksporton pakënaqësitë e brendshme. Nuk mundet Serbia me avancu, përderisa palët që janë fqinjët e tyre ngecin. Kur ne avancojmë, avancojmë si rajon, kur ngecim, ngecim si rajon. Një sjellje e përgjegjshme, do të ndihmonte jo vetëm Serbinë por edhe të gjithë rajonin.

N1: A mendoni se Kosova mund të kushtëzohet për këtë kandidaturë me kthimin e tokave të Manastirit të Deçanit?

Bislimi: Jo, këto janë mbase ide të dikujt. Kosova i plotëson kriteret që kërkohen. Ne kemi diskutu bashkarisht me shumë vende anëtare të cilat e mbështesin kandidaturën tonë dhe në bazë të analizës që kemi bërë kemi konkludu qe ne i plotësojmë kriteret që duhet për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës. Nuk ka asnjë shtet i cili është kushtëzu me ndonjë vendim të caktuar, kjo do ishte e palogjikshme, absurde dhe specifike vetëm për Kosovën që pastaj personat sponsorizues të kushtëzimeve të tilla do t’i vendoste në një pozitë të palakmueshme. Ne jemi shumë të bindur që Këshilli i Evropës do të jetë i lumtur me aplikimin tonë, do na presë me zemërgjerësi dhe në atë moment kur procedurat të tejkalohen ne do të jemi anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera dhe do të mund të shfrytëzojmë mekanizmat e KE për benefitet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të minoritetit serb.

N1: A mendoni se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e liberalizimit të vizave dhe pse kjo akoma nuk ka ndodhur?

Bislimi: Mendoj që kjo as që diskutohet më në asnjë nivel. Kosova ka pas shumëfish më shumë kritere sesa vendet e tjera të cilat kanë kalu në rrugëtimin e njëjtë. Këto kritere janë përmbush me vite. Kosova ka statistika të riatdhesimit, azilkërkuesve, për trajtimin e refugjatëve që janë më të mira se disa vende që janë shumë më të avancuara në procesin e integrimit dhe BE. Rrjedhimisht Kosova ka bërë më shumë sesa është pritur nga ajo, që përfundimisht qytetarët e saj të lëvizin të lirë në zonën Schengen. Arsyet pse ka ngecje ka të bëjë me dinamika brenda vendeve anëtare të BE, por ne jemi shumë konfident që ka ardhur momenti që edhe shtetet që kanë qenë pak a shumë skeptike tash e kanë kuptuar që është shumë e rëndësishme që të rivendoset kredibiliteti I vetë BE në raport me rajonin, dhe ai nuk mund të vendoset pa liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

N1: A mund të pritet diçka konkrete brenda fundit të vitit?

 Bislimi: Tash veç konkrete pritet dhe për ne edhe fundi i vitit është pak pesimist. Ne shpresojmë që të mund të përfundohet dhe para fundit të vitit. Të themi se kjo mund të kryhet para fundit të vitit është një lloj shprehje pesimiste.

N1: Z. Bislimi, ju faleminderit për intervistën e dhënë për televizionin N1.

Bislimi: Faleminderit shumë për mundësinë që t’i drejtohem edhe qytetarëve të Republikës së Serbisë për të treguar se cilat janë qëndrimet e Republikës së Kosovës në raport me normalizimin e marrëdhënieve me shtetin serb.

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori