Komuna e Vitisë nikoqire e Festivalit “Ninulla”, kryetari Haliti: Kultura na bashkon
Ka filluar edicionin i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Këngës Folklorike Tradicionale “Ninulla”.
Me këtë rast një fjalë rasti si nikoqir i këtij festivali ka mbajtur kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili tha se ky festival është dëshmi e fuqisë së kulturës për të bashkuar njerëzit, për të ndarë tradita dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet kombeve.
“Kam nderin që në cilësinë e kryetarit të komunës, të mirëpresim edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Këngës Folklorike Tradicionale "NINULLA" në qytetin e Vitisë. Ky festival, i cili mbledh artistë nga Italia, Turqia, Republika Çeke, Sllovenia, Qiproja Veriore, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, është dëshmi e fuqisë së kulturës për të bashkuar njerëzit, për të ndarë tradita dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet kombeve”, u shpreh kryetari Haliti.
Ai gjithashtu tha se ngjarjet si këto janë më shumë se shfaqje artistike, ku sipas tij, janë ura të fuqishme që lidhin të kaluarën me të tashmen dhe që ruajnë vlerat tradicionale për brezat e ardhshëm.
I pari i komunës gjithashtu shprehu mirënjohjen më të thellë për organizatorët e festivalit, SKOFF dhe partnerët e tyre të ngushtë nga CIOFF, të cilët sipas kryetarit Haliti kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të sjellë festival në Viti.
Ndryshe gjatë ditës së sotme kryetari Haliti po ashtu ka pritur në zyrën e tij grupet artistike dhe ansamblet që do të jenë pjesë të këtij festivali.
Dita e parë e festivalit ka nisur në Viti, konkretisht në Shtëpinë e Kulturës “ Gursel e Bajram Sylejmani” ndërsa festivali në fjalë pritet të zhvillohet me pas edhe në qytetin e Ferizajt dhe Gjilanit. /Telegrafi/






























