Komuna e Prishtinës njofton se për shkak të numrit të madh të parkingjeve private pa leje, sidomos ato me qasje direkte në rrugë kryesore, udhëkryqe apo zona të gjelbra, ka ndërmarrë disa masa për vendosje të rregullit.

Sipas njoftimit, çdo parking privat duhet të aplikojë për leje, e cila do të jetë e përkohshme, deri në miratimin e Planit të ri të Mobilitetit, i cili do të përcaktojë standardet dhe lokacionet e lejuara për parking.


Sipas Komunës së Prishtinës, në kuadër të këtyre masave të ndërmarra nuk do të lejohen të operojnë ato parkingje të cilat kanë qasje direkte në rrugë kryesore apo udhëkryqe – që pengon qarkullimin dhe ato parkingje që janë të vendosura në hapësira të gjelbra dhe hapësira publike.

“Qëllimi: më shumë rend, siguri dhe mbrojtje të hapësirave publike e mjedisit.Ftojmë të gjithë operatorët të bashkëpunojnë që të aplikojnë për leje dhe të ndjekin procedurat në fuqi’- thuhet në njoftimin e Komunës të lëshuar më 11.07.2025.