Komuna e Prishtinës do të sigurojë transport për veteranët që marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare në Tiranë

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka njoftuar se ka nënshkruar sot vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë.
Në një postim publik, ai theksoi se ky vendim është shprehje e respektit institucional dhe mirënjohjes kombëtare për ata që kontribuuan në lirinë e vendit.
“Veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës, por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike”, shkroi ai.
Kreu i kryeqytetit shtoi se nderimi për veteranët, familjet e dëshmorëve dhe të gjithë ata që e mbajnë gjallë kujtesën e luftës është detyrim moral i përbashkët.
“Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, shihemi në Tiranë. Ju takon respekti i një kombi të tërë”, përfundoi ai.

















































