Komuna e Kamenicës ka njoftuar qytetarët se, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, duke filluar nga e marta, 27 janar 2026, nga ora 12:00, priten reshje intensive shiu që mund të shkaktojnë rritje të nivelit të ujit dhe vërshime lokale.

Sipas këtij njoftimi, zonat më të rrezikuara janë ato pranë lumit Kriva Reka, i njohur edhe si Lumi i Shtrembër, në pellgun e Moravës së Binçës. Instituti Hidrometeorologjik ka vlerësuar nivelin e rrezikut si nivel 2, që nënkupton rrezik të moderuar.


Me këtë rast, Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht banorëve që jetojnë pranë rrjedhave ujore dhe zonave të ulëta.

Po ashtu, është bërë e ditur se shërbimet komunale janë në gjendje gatishmërie dhe do të reagojnë në kohë për çdo situatë eventuale që mund të paraqitet si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike. /Telegrafi/