Komuna e Gjakovës, ka ndarë 140 mijë euro për përkrahjen e zhvillimit ekonomik lokal, përmes granteve që do të shpërndahen për 26 biznese ekzistuese dhe start-up-e.

Ky lajm është bërë i ditur nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili përmes këtij njoftimi bëri të ditur se kjo përkrahje është realizuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në komunën e Gjakovës, me qëllim të fuqizimit të ndërmarrjeve vendore, rritjes së kapaciteteve të tyre dhe krijimit të vendeve të reja të punës në këtë komunë.


“Jam veçanërisht i lumtur që si institucion po arrijmë të ofrojmë ndihmë për ndërmarrësit tanë, të cilët me shumë punë, ide dhe përkushtim po kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e ekonomisë,” theksoi Gjini.

Në njoftimin e tij Gjini po ashtu bëri të ditur që komuna e Gjakovës do të vazhdojë të përkrahë çdo iniciativë që sjell zhvillim ekonomik dhe një jetë më të mirë për qytetarët kësaj komune.

Theksojmë që nga fondi prej 140,000 euro, janë mbështetur 26 biznese, 16 ekzistuese dhe 10 start-up,  me grante nga 2,000 deri në 8,000 euro. Ndër përfituesit 12 janë gra dhe 14 janë burra, duke treguar përkushtim ndaj barazisë dhe gjithëpërfshirjes.