LAJMI I FUNDIT:

Kombi dhe shteti

Në teorinë për kombet ka disa autorë që përpiqen të argumentojnë se ka edhe raste kur shteti krijon kombin (!?). Argument për këtë përdoret fakti që shtetet kanë ekzistuar edhe në mesjetë edhe në antikë, atëherë kur kombet nuk kanë ekzistuar. Por, në fakt ne po flasim për shtetet moderne, ku edhe në ato më diktatorialet ka një formalitet përfaqësimi të popullit. Dhe kjo dallon rrënjësisht nga mesjeta ku mbreti, sulltani, cari apo perandori sundonin jo në emër të popullit por në emër të Perëndisë apo fuqisë së tyre personale.

Kombet janë krijuese të shteteve dhe përgjegjëse për krijesat e tyre, prandaj ka një organizatë botërore që quhet Organizata e Komeve të Bashkuara dhe jo një organizatë që do të quhej, fjala vjen, Organizata e Shteteve të Bashkuara.


Kombet, qofshin ato monoetnike apo multietnike, monofetare apo multifetare, monoracore apo multiracore, janë pronarë të shteteve moderne. Vetë ekzistenca e një shteti është dëshmi e ekzistencës së një kombi përkatës, që e ka krijuar atë shtet dhe që e mbanë në këmbë atë shtet.
Sigurisht që Republika e Serbisë ekziston jo në saje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e as në saje të hungarezëve të Vojvodinës, e as në saje të vllehve të Zajeçarit. Shteti serb ekziston në saje të ekzistencës së kombit serb.

Krijesa e kombit serb fillimisht u quajt: Principata e Serbisë (1835), më pas Mbretëria e Serbisë (1878), më pas Mbretëria Sebo-Kroato-Sllovene (1918), Mbretëria e Jugosllavisë (1929), Shteti i Serbisë (1941), Republika Federative Popullore e Jugosllavisë (1946), Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë (1946), Republika Federale e Jugosllavisë (1992), Unioni Serbi Mali i Zi (2003) dhe së fundi Republika e Serbisë (2006).

Sa herë që kjo krijesë e kombit serb ndërroi formë, madhësi apo emër, ajo nuk u detyrua që të kërkojë njohje ndërkombëtare, apo pranim në Lidhjen e Kombeve apo Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pse? Sepse kombi serb u njoh njëherë si komb në Kongresin e Berlinit (13 Korrik 1878).

Gjithë kombet që lindën në territoret që kontrollonte dikur Beogradi, u detyruan të kërkonin njohje ndërkombëtare dhe pranim në OKB (sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonët, malazezët, kosovarët), vetëm serbet nuk kërkuan njohje as pranim. Pse? Sepse ata ishin të njohur si komb që më Kongresin e Berlinit dhe se Jugosllavia njihej si krijesë e kombit serb dhe pronë e këtij kombi.

Tek e fundit kjo u pa në luftërat e fund-shekullit njëzet. Edhe sllovenet, edhe kroatët, edhe boshnjakët, edhe maqedonët, edhe malazezët, edhe kosovarët luftuan kundër Jugosllavisë, vetëm serbët e mbrojtën e atë deri në fund.

Një shtet modern nuk mund të ngrihet pa pasur një frymë, pa ekzistuar një komb që e mban atë. As shteti i Kosovës nuk ka mundur të ngrihet pa këtë frymë.

Shumë veta thonë: Po si atëherë ekziston shteti i Kosovës kur ata që deklarohen se ekziston kombi kosovar nuk bëjnë as 1000 veta, e ndoshta as 100?

Se si e quajnë njerëzit një gjë është e dorës së dytë karshi faktit se a ekziston apo jo ajo gjë. Nuk është shumë me rëndësi se a deklarohen njerëzit se a ekziston apo jo kombi kosovar, apo kombi shqiptar i Kosovës, apo kombi dardan, apo e konsiderojnë se komuniteti shqiptar i Kosovës është pjesë integrale e kombit shqiptar, përballë faktit që një frymë (komb) në Kosovë ekziston dhe se kjo frymë ka miqtë e vet në botë, që për një arsye apo tjetër, i kanë ndihmuar me e ngritë shtetin e Kosovës.

Me çka identifikohet një frymë – komb? Identifikohet me sloganin e Revolucionit Francez (1789): Liri, vëllazëri, barazi. Pa këto tri vlera nuk ngrihet një komb. Shqiptarët në ish Jugosllavi nuk mund të ishin komb, sepse as nuk ndjeheshin të lirë, as vëllezër me sllavët e as të barabartë me ta. Por, sot në Kosovën e lirë, relativisht janë. Janë, sepse secili person i moshës madhore përmes votës së tij merr pjesë në drejtimin e vendit. Kjo të paktën ekziston si mundësi. Pse dikush arrin me vjedhë vota dhe i privon një pjesë të qytetarëve nga kjo e drejtë, tregon se ende nuk jemi një komb i konsoliduar.

Në një odë të Drenicës një plak ma shtroi pyetjen se përse nuk po bëhemi rehat siç janë bërë gjithë popujt e dynjasë. Po thonë që nevojitet kohë që ne ta marrim vetën si shtet, por ja Shqipëria që është i njëjti brumë si Kosova, qe 100 vjet nuk mundi me marrë vetën. Pse? Sllovenia qe 20 vjet u bë shtet po ku ka arritur se?

Ia shpjegova sloganin e Revolucionit Francez dhe i thash që ne nuk kemi problem me konceptin e lirisë se ndonjëherë edhe abuzojmë me të. Kemi pak problem me ndjenin e vëllazërisë se ndonjëherë jemi në gjendje me e vra edhe vëllain që na e ka ba baba e nana. Por, problemin më të madh e kemi me konceptin e tretë, atë të barazisë.

Koncepti i barazisë është i lidhur ngushtë me drejtësinë. Dhe, shqiptarët kanë problem me këtë koncept. Shqiptarët e përkrahin të fortin dhe jo të drejtin. A e keni parë – u thash burrave në odë – se kur në katund një i fortë i bie në qafë një më të dobëti se si sillen bashkëfshatarët. Ata në vend se ta bojkotojnë e ta izolojnë zullumqarin e ta ndihmojnë viktimën, marrin anën e të fortit dhe i rrisin zullumin viktimës. Kjo sjellje nuk na lenë me ecë përpara. Me këso sjellje nuk ngrihet kombi as shteti. Prandaj, Shqipëria që 100 vite shumë pak ka ecë përpara dhe kjo do t’i ndodhë edhe Kosovës nëse nuk e ndryshojmë këtë qasje.

Nëse edukatorët në shkolla, mediat, intelektualët nuk ua bëjnë me dije si vath në vesh të rinjve se duhet të përkrahet i drejti dhe jo i forti, nuk do të mund të konsolidohemi as si komb e rrjedhimisht as si shtet.