Dhjetëra kolonë izraelitë i vunë flakën automjeteve dhe shtëpive palestineze në një fshat në Bregun Perëndimor të pushtuar të hënën, pasi forcat izraelite shembën strukturat e paligjshme të kolonëve në zonë, shkruan CNN.

Dy video të gjeo-lokuara nga CNN tregojnë automjete të shumta dhe një ndërtesë në flakë pas sulmit në Jab'a, një fshat palestinez rreth 15 kilometra në jugperëndim të Betlehemit. Fshatarët luftuan për të shuar flakët, tregojnë videot.


Një kamerë e sigurisë në Jab'a kapi dhjetëra burra të maskuar duke hyrë në një shtëpi dhe duke u vënë flakën automjeteve, transmeton Telegrafi.

Kreu i këshillit të fshatit Jab'a, Diab Masha'leh, i tha Wafa-s, agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve, të hënën se kolonët sulmuan fshatin dhe i vunë flakën tre shtëpive të banuara dhe tre automjeteve.

Ai tha se fshatarët ishin në gjendje të shuanin zjarret "pa raportuar asnjë lëndim", por se "dëme të rënda materiale u shkaktuan në shtëpitë dhe automjetet e synuara".

Sulmi është i fundit në një valë sulmesh gjithnjë e më të paturpshme të kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Në një veprim të rrallë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi dhunën, duke thënë se ajo vinte nga "një grup i vogël ekstremist që nuk përfaqëson kolonët" në Bregun Perëndimor.

"Kam ndërmend të merrem personalisht me këtë dhe të mbledh ministrat përkatës sa më shpejt të jetë e mundur për të adresuar këtë fenomen serioz", tha ai në një referencë të dukshme ndaj Ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir, një mbështetës i flaktë i vendbanimeve.

Forcat e Mbrojtëse të Izraelit thanë në një deklaratë se "pas evakuimit të strukturave të paligjshme", dhjetëra civilë izraelitë i vunë flakën dhe vandalizuan shtëpitë dhe automjetet" në Jab'a.

"Forcat izraelite të sigurisë në vendngjarje po kryejnë kërkime për të gjetur individë të përfshirë. Incidenti është ende duke vazhduar", thuhet ndër tjera nga IDF-ja izraelite. /Telegrafi/