Telegrafi

Kohorta e dytë e “Idea-to-Scale” sjellë 11 startup biznese inovative

Qendra e Inovacionit Makerspace në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren ka realizuar aktivitetin e quajtur “Demo Day”, në kuadër të inkubatorit të bizneseve startup “Idea-to-Scale”. Me këtë rast 11 startup bizneset kanë prezantuar idetë dhe strategjitë e tyre të zhvillimit e rritjes, duke kërkuar edhe investitorë potencialë.

Sipas organizatorëve ky është edicioni i dytë i programit “Idea-to-Scale”, që sivjet ka sjellë 11 startup biznese të reja nga industri dhe sektore të ndryshme. Që të gjitha këto 6 muaj më parë janë prezantuar vetëm si ide, por me punë dhe përkushtim gjatë periudhës së inkubimit, kanë fituar shkathtësi dhe njohuri të duhura për të operuar si startup biznese në tregjet e industrive përkatëse.

Programi në thelb ka për qëllim të rrisë kapacitetet e të rinjve dhe të rejave të Prizrenit, duke siguruar zhvillimin e ekipeve përfituese me të gjitha resurset e nevojshme për përgatitjen e tyre profesionale.

Pjesëmarrësi në këtë program, Tarik Ajvazi nga startup-i “Class Compass”, ka vlerësuar këtë përvojë disa mujore. “Në eventin ‘Demo day’ kemi prezantuar projektin ‘Class Compass’ që është një sistem softuer për menaxhimin e shkollave, për ta lehtësuar dhe transformuar sistemin e mësimit në Kosovë”, ka thënë ai.

Drejtori Ekzekutiv i “Makerspace”, Enis Qafëleshi ka bërë të ditur se nga viti 2022, programi është realizuar në dy kohorta dhe ka përfshirë gjithsejtë 21 ekipe që kanë ofruar zgjidhje inovative në veprimtaritë e tyre.

“Në kohortën e dytë janë pranuar 84 aplikime prej të cilave 11 ekipe me gjithsejtë 34 anëtarë u përzgjodhën për të përfituar nga ky program. Këto startup biznese vijnë nga industri të ndryshme duke përfshirë teknologjinë shëndetësore, teknologjinë edukative, inteligjencën artificiale, turizmin, sigurinë kibernetike, trashëgiminë kulturore, e-commerce, teknologjinë për patundshmëri, teknologjinë ligjore dhe platforma për punë të pavarur”, ka thënë Qafëleshi, duke shprehur mirënjohje për të gjithë akterët që kanë mbështetur realizimin e këtij projekti.

Drejtori i ITP Prizren, Hans Juergen Cassens  ka pohuar se ITP dhe GIZ janë munduar që të krijojnë një ambient dinamik me punë dhe inovacion, që falë partnerëve si Makerspace po jetësohet. “Unë besoj se me Makerspace dhe partnerë të tjerë kyç do të kontribuojmë në zhvillimin dhe rritjen e këtij komuniteti inovativ dhe të ardhmen e Prizrenit”, është shprehur ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se me ekipin e tij ka diskutuar mënyrat se si mund të mbështetet inovacioni dhe kreativiteti te të rinjtë dhe të rejat në Prizren, dhe se pas takimit me drejtuesit e “Makerspace” është parë se ata kanë një vizion të qartë për këtë.

“Ne filluam të bashkëpunojmë, dhe rezultatet e kësaj pune po shihen edhe sot në këtë event. Ky projekt solli ide të reja inovative e kreative duke na e dëshmuar që këto projekte duhet të vazhdojnë për të arritur rezultate edhe më të mira në të ardhmen e afërt”, ka thënë Totaj.

Përfaqësuesja e Swiss EP Kosovo, Arta Istrefi  ka shprehur qëndrimin se zhvillim është fjala kyçe që përkon me “Makerspace”, dhe ka këshilluar të rinjtë se “bashkëpunimi është elementi kyç për zhvillimin personal dhe profesional”.

Koordinatorja e projektit, Gentiana Gashi, ka bërë të ditur se pjesëmarrësit në program kanë përfituar sesione mentoruese, në grup dhe individuale, mbi 80 orë konsulenca individuale, një grant prej 2,000 euro në formë të pajisjeve dhe shërbimeve, si dhe mundësi rrjetëzimi dhe bashkëpunimi me profesionistë të fushave të ndryshme. “’Demo Day’ shënon përfundimin e suksesshëm të këtij programi dhe ka për qëllim të lehtësojë takimet midis startup-eve dhe investitorëve, duke krijuar mundësi për investime dhe partneritete”, ka thënë ajo.

Ky program sivjet ndihmoi në zhvillimin dhe lansimin e 11 bizneseve të reja në Prizren dhe më gjerë./Telegrafi/.