Klubi i Prishtinës i uron shërim të shpejtë Valmir Veliut

Një skenë e rrallë dhe e frikshme në futbollin e Kosovës është parë gjatë ditës së shtunë në duelin ndërmjet Prishtinës dhe Llapit në stadiumin "Fadil Vokrri".
Lojtari mysafir Valmir Veliu e humbi vetëdijen pas një përplasjeje me Diar Miftarajn, saqë u desh të dërgohej me urgjencë në spital për trajtim të mëtutjeshëm.

Disa futbollistë të Prishtinës treguan humanizmin dhe profesionalizmin e tyre duke shkuar në spital për ta vizituar kolegun nga ekipi kundërshtar.
Ndërsa klubi kryeqytetas përmes një postimi në faqet zyrtare në Facebook dhe Twitter i ka uruar shërim të shpejtë lojtarit të Llapit.
"Shërim të shpejtë Valmir Veliu. Qoftë e harruar", shkruan në postimin e Prishtinës që shoqërohet me fotografinë e përbashkët të futbollistëve në spital.
Në ndërkohë, drejtuesit e Llapit, pas vizitës që i kanë bërë lojtarit, kanë njoftuar se ai është në gjendje të mirë shëndetësore. /Telegrafi/

















































