Klinika e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës ka arritur një rezultat të rëndësishëm në trajtimin e pacientëve me karcinomë gjiri, duke kryer 199 operacione gjatë këtij viti.
Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës përmes një njoftimi.
Ky sukses është arritur në bashkëpunim me stafin e Klinikës së Anesteziologjisë, që ka kontribuar në ofrimin e shërbimeve të kualitetit të lartë për pacientët.
“Përveç operacioneve, klinika gjithashtu ka kryer 107 biopsi me anestezion të përgjithshëm, 131 biopsi të gjirit me anestezion lokal dhe 104 raste me gjilpërë gjysmë automatike”, thuhet në njoftim.
Një nga arsyet për këtë sukses është përmirësimi i infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore, pasi Klinika e Kirurgjisë Torakale ka filluar përdorimin e aparaturës së re, Sentinel Nody Biopsy (Biopsia e Nyjës Sentinellë), e cila ka lehtësuar procesin e realizimit të operacioneve dhe biopsive.
Klinika ka njoftuar se nuk ka lista pritjeje për rastet me kancer të gjirit, duke i trajtuar ato me prioritet. /Telegrafi/