LAJMI I FUNDIT:

Kina mbështeti rezolutën e OKB-së që e etiketon agresor Rusinë

Kina mbështeti rezolutën e OKB-së që e etiketon agresor Rusinë

Kina ka braktisur praktikën e saj të abstenimit nga votimi në Kombet e Bashkuara që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës. Megjithatë, sot Pekini mbështeti rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën Rusia u etiketua si “agresore”.

Media e pavarur ruse “The Moscow Times” i referohet informacionit të publikuar nga përfaqësia islandeze në organizatën botërore. Bëhet fjalë për një dokument që mban kodin A/77/L.65 dhe titullohet “Bashkëpunimi ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës”.

Ai flet për “sfidat e paprecedentë” me të cilat përballet Evropa “pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe më parë ndaj Gjeorgjisë”.


Në të njëjtën kohë, rezoluta e sipërpërmendur bën thirrje për kompensimin e viktimave shkaku i dëmeve të shkaktuara nga Rusia dhe për “sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që janë fajtorë të shkeljes së normave të së drejtës ndërkombëtare”.

Media e përmendur shton se, së bashku me Kinën, për rezolutën votuan Kazakistani dhe republikat e tjera post-sovjetike, me përjashtim të Taxhikistanit dhe Uzbekistanit, të cilët abstenuan nga votimi. Por dokumenti u mbështet edhe nga vende që autoritetet ruse i cilësojnë si “miqësore”, përkatësisht India, Brazili dhe Turqia.

Vetëm pesë vende ishin në mënyrë eksplicite kundër tij, së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë, Republikën Demokratike të Kongos, Nikaraguan dhe Sirinë. Për rezolutën votuan gjithsej 122 vende.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në OKB, Serhiy Kislica, theksoi se diplomatët rusë u përpoqën të hiqnin fjalën “agresion” nga rezoluta e përmendur, por nuk ia dolën.

Misioni rus në OKB njoftoi se paragrafi në fjalë është “jashtëzakonisht i politizuar” dhe nuk ka “asnjë lidhje me çështjet e rezolutës”. Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasilij Nebenzja, akuzoi autorët e tekstit për “mbulimin e qëllimshëm të luftës tetëvjeçare të Ukrainës kundër popullit të Donbasit” dhe se OKB-ja “injoroi agresionin e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë”. /Telegrafi/