Jo të gjitha sëmundjet seksualisht të transmetueshme kanë simptoma të qarta, por disa prej tyre mund të çojnë në infertilitet nëse nuk zbulohen me kohë

Nuk është sekret që sëmundjet seksualisht të transmetueshme sjellin me vete një sërë problemesh dhe rreziqesh. Edhe pse sot, fatmirësisht, shumë prej tyre trajtohen më lehtë se më parë, nuk mund të thuhet gjithmonë se çdo infeksion do të zbulohet me kohë dhe se trajtimi do të parandalojë pasojat.


Sipas ekspertëve, numri i të infektuarve me sëmundje seksualisht të transmetueshme është në rritje. Po rriten sërish rastet me klamidia, sifiliz dhe gonorre.

Përveç faktit që këto shifra janë shqetësuese, ajo që shpesh lihet jashtë vëmendjes është se këto sëmundje mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pjellori, madje të çojnë në infertilitet. Kjo është edhe një arsye më shumë për të pasur kujdes në sjelljen seksuale dhe për të reaguar me kohë, që sëmundjet të trajtohen para se të bëhen serioze, transmeton Telegrafi.

Cilat sëmundje seksualisht të transmetueshme ndikojnë në pjellori?

1. Klamidia

Nëse klamidia nuk trajtohet, ajo mund të përhapet në mitër, vezore ose tuba fallopiane dhe të shkaktojë sëmundjen inflamatore të legenit (PID). Kjo gjendje mund të shkaktojë vështirësi për të mbetur shtatzënë, të rrisë rrezikun e shtatzënisë jashtë mitre dhe të çojë në infertilitet. Simptomat përfshijnë urinim të dhimbshëm, sekrecione vaginale të pazakonta dhe gjakderdhje mes cikleve ose pas marrëdhënieve seksuale.

2. Gonorreja

Edhe gonorreja, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në sëmundjen inflamatore të legenit. Kjo mund të shkaktojë dhimbje kronike të legenit, shtatzëni jashtë mitre dhe infertilitet. Simptomat janë të ngjashme me klamidinë, por 5 nga 10 gra të infektuara nuk kanë asnjë simptomë të dukshme.

3. Sifilizi

Edhe kjo sëmundje mund të ndikojë në pjellori nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët. Një grua shtatzënë me sifiliz mund ta transmetojë sëmundjen te foshnja para lindjes (sifiliz kongjenital). Sifilizi gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme dhe lindjes së fëmijës pa shenja jete. Simptomat përfshijnë plagë të vogla në vaginë dhe anus, njolla të bardha në gojë dhe nyje limfatike të enjtura.

4. Herpes simplex (HSV)

Gratë që kanë pasur herpes gjenital para shtatzënisë zakonisht nuk kanë probleme me shëndetin e foshnjës. Por infeksioni aktiv gjatë shtatzënisë mund ta ekspozojë foshnjën ndaj një sëmundjeje serioze të quajtur herpes neonatal. Simptomat përfshijnë dhimbje vaginale, sekrecione të pazakonta dhe temperaturë.

5. Virusi i papillomës humane (HPV)

HPV është shumë i përhapur dhe shpesh nuk shkakton simptoma, por disa lloje të tij mund të çojnë në kancer. Mund të shfaqen lytha ose gunga pa dhimbje rreth vaginës dhe anusit. HPV lidhet me kancerin e qafës së mitrës, vulvës dhe vagjinës. Në rastet e avancuara, trajtimi mund të dëmtojë organet riprodhuese dhe të çojë në infertilitet.

6. Trihomoniaza

Trihomoniaza shkaktohet nga paraziti Trichomonas vaginalis. Simptomat përfshijnë dhimbje, ënjtje dhe kruarje në zonën vaginale, si dhe dhimbje gjatë urinimit ose marrëdhënieve seksuale. Tek gratë, simptomat shpesh ngatërrohen ose injorohen. Nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë komplikime në shtatzëni, si lindje të parakohshme ose peshë të ulët të foshnjës në lindje.

7. Hepatiti C

Edhe pse teknikisht nuk konsiderohet gjithmonë sëmundje seksualisht e transmetueshme, hepatiti C mund të transmetohet përmes marrëdhënieve të ashpra seksuale dhe ndarjes së gjilpërave. Me kalimin e kohës, ai dëmton mëlçinë dhe mund të çojë në cirrozë, e cila mund të shkaktojë infertilitet. Nëse infeksioni shfaqet gjatë shtatzënisë, ekziston 4–6% rrezik që foshnja të infektohet. Disa fëmijë e eliminojnë virusin vetë, por te disa zhvillohet infeksion kronik që mund të dëmtojë mëlçinë. /Telegrafi/