Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë: Shpërngulja e palestinezëve është shkelje e rëndë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me situatën humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke e cilësuar shpërnguljen e detyruar të popullsisë palestineze si një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.
Në një deklaratë zyrtare, KNFSH, i cili përfaqëson pesë komunitetet fetare të vendit, u bashkua me thirrjet ndërkombëtare të organizatës “Religions for Peace Europe”, Patriarkanës Latine dhe Ortodokse të Jerusalemit, 80 rabinëve ortodoksë nga mbarë bota, si dhe komuniteteve islame e të krishtera, për ndaljen e menjëhershme të luftës dhe lirimin e të gjithë pengjeve, raporton euronews.al.
“Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor”, thuhet në deklaratë.
Këshilli thekson se viktimat më të mëdha të konfliktit janë civilët e pafajshëm, veçanërisht gratë dhe fëmijët, dhe kërkon garantimin e mbrojtjes së tyre. Në këtë frymë, KNFSH riafirmon se një paqe e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.



















































