Kërkesë për paraburgim ndaj të pandehurit për shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet E.M., nën dyshimin për shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armës.
Sipas prokurorisë, më 11 gusht 2025, rreth orës 21:25, gjatë një kontrolli policor në rrugën "Gasper Karaqi" në Gjakovë, te i pandehuri u gjetën dhe sekuestruan gjashtë qese me substancë të dyshuar kokainë, në peshë prej 2.71 gramë.
Në kontrollin në banesën e tij, hetuesit sekuestruan edhe 385.71 gram kokainë, si dhe pajisje që dyshohet se shërbenin për përgatitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.
“Janë gjetur dhe sekuestruar një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepës dhe qese të vogla të zbrazëta, që kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjithashtu, i pandehuri akuzohet për mbajtje pa leje të armës, pasi gjatë kontrollit iu sekuestrua një revole me gaz dhe një karikator.
“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale: blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,” thuhet më tej në komunikatë.
E.M. gjendet aktualisht nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria vazhdon hetimet dhe thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin. /Telegrafi/


















































