Kërkesat për të qenë i paguar si Messi, Neymar e Mbappe – ngecin negociatat mes PSG-së dhe Dembeles

Ousmane Dembele po vazhdon të mbajë në pritje të ardhmen e tij te Paris Saint-Germain, pavarësisht se ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2028.
Sipas raportimeve të “L’Equipe”, as lojtari dhe as klubi nuk kanë nxitim për të finalizuar një marrëveshje të re, duke vendosur që bisedimet të shtyhen deri në përfundim të sezonit.
E ardhmja e francezit pritet të varet shumë nga mënyra se si do të përfundojë sezoni. Një dështim në arenën evropiane mund ta shtyjë PSG-në drejt një cikli të ri, duke ndikuar drejtpërdrejt në pozicionin e tij në skuadër. Në anën tjetër, nëse Dembele luan rol kyç në një ecuri të gjatë – veçanërisht drejt finales së Ligës së Kampionëve – atëherë ai do të ketë një avantazh të madh në negociata.
Sezoni i tij ka qenë i luhatshëm. Lëndimet në fillim ngritën dyshime brenda klubit, por paraqitjet që nga janari kanë rikthyer besimin në rëndësinë e tij në ekip.

Megjithatë, aspekti financiar mbetet një nga pengesat kryesore. Struktura aktuale e pagave te PSG, e ndikuar nga rregullat e Fair Play Financiar, mund të mos përputhet me pritshmëritë e lojtarit.
Dembele është i vetëdijshëm për pagat e larta që kanë përfituar më parë yje si Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe Neymar, si dhe për rrogën e raportuar prej 20 milionë eurosh në vit të trajnerit Luis Enrique.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, opsione të tjera tashmë janë në horizont. Klube nga Anglia dhe Arabia Saudite kanë shfaqur interes për shërbimet e tij, edhe pse deri tani nuk ka oferta konkrete./Telegrafi/





















































