Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, ortopedi Cen Bytyqi ka folur për sëmundjet gjenetike të kockave dhe për intervenimet e mundshme për zgjatjen e tyre. Bytyqi theksoi se sot teknologjia gjenetike ka avancuar shumë, duke mundësuar jo vetëm identifikimin e saktë të sëmundjeve, por edhe të qenit përgjegjës për defektin e caktuar.

Ai përmendi disa displazi të ndryshme që prekin pjesët metafizare dhe epifizare të kockave, të cilat shkaktojnë çrregullime të rritjes, gjatësi të shkurtër dhe deformime të ndryshme, si këmbët në formë “O” ose “X”.


“Një nga sëmundjet është edhe androplazia, ku ka defekt në pllakën e rritjes dhe mungesë të zhvillimit në gjatësi të kockave të gjata, si dhe në palcën dhe kolonën vertebrale, duke bërë që pacientët të mbesin të shkurtër”, shpjegoi ai.

Për fat të mirë, siç tha Bytyqi teknologjia ka sjellë edhe mundësi për intervenime të avancuara.

“Sot kemi pajisje që vendosen në kanalin e palcës kockore dhe janë me sensorë, të cilat mundësojnë zgjatjen e kockës me rreth një milimetër në ditë, deri në arritjen e gjatësi optimale”, tha Bytyqi.

I pyetur nëse këto intervenime kryhen në Kosovë, ai sqaroi se ndërhyrjet me fiksatorë të brendshëm nuk janë ende të disponueshme në vend, por përdoren fiksatorë të jashtëm.

“Ne bashkëpunojmë me qendra të ndryshme ndërkombëtare, për shembull Spitalin e Gjenevës. Këto ndërhyrje nuk janë shumë të kushtueshme dhe janë shumë falënderuese për pacientët”, theksoi ai.

Bytyqi shpjegoi se metoda përdor një prerje minimale invazive, ku me një prerje shumë të vogël futet shtiza në kanalin kockor.

“Pastaj, çdo ditë kocka zgjatet gradualisht, dhe organizmi vetë formon kockë të re”.

Sa i përket moshës së përshtatshme për këtë trajtim, Bytyqi tha se ndërhyrjet mund të kryhen edhe në moshë të re, por zakonisht bëhet një bilanc final pas përfundimit të rritjes, rreth moshës 16 vjeçare. /Telegrafi/