Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të dielën ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin: “Drejtësia Civile në Kosovës: Ligji VS Praktika”.
Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së, tha se ky raport është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bën rasteve civile. Sipas tij, sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës ka dështuar që të sigurojë një mjet efektiv juridik, duke shtuar se janë evidentuar raste ku gjyqtarët kanë trajtuar në mënyrë selektive rastet civile.
Miftaraj ka theksuar se në rastet civile, dukuria e kthimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit në rivendosje ka pësuar ngritje të theksuar. Ai ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të marrë përsipër vendosjen përfundimtare të rasteve, përjashtimisht rasteve kur është e domosdoshme që Gjykata e Apelit ta kthej rastin në rivendosje në shkallën e parë.
Gzim Shala, Hulumtues në IKD, tha se përkundër faktit se nga viti 2016 e deri në vitin 2019 është ngritur nuk i gjyqtarëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vit pas viti ka pësuar ngritje. Sipas tij, sistemi gjyqësor me këtë dinamikë e ka të pamundur që të arrijë stabilitet të numrit të lëndëve civile.
“Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 janë kryer 166 lëndë civile më shumë se sa që janë pranuar. Me këtë tempo, sistemit gjyqësor i nevojiten plot 132 vite për të përfunduar të gjitha lëndët e pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti. Sikur gjyqtarët ta arrinin normën orientuese, këto lëndë do të përfundonin për rreth 2 vite. Në këtë drejtim, është e domosdoshme që KGJK gjatë procesit të vlerësimit të performancës të ketë parasysh (mos) arritjen e normës orientuese, si dhe KGJK duhet të rishikojë vetë rregulloren që përcakton normat orientuese”.
Sipas Shalës, IKD ka gjetur trajtim selektiv të rasteve, pasi përderisa një rast civil edhe pas 22 viteve nuk ka marrë epilog, janë evidentuar raste të cilat kanë përfunduar për vetëm 35 ditë. “Zvarritjet e procedura civile kanë dy pasoja. E para është se humb besimi i publikut në sistemin e drejtësisë dhe e dyta është se këto zvarritje bëhen faktorë kriminogjen që qytetarët të marrin drejtësinë në duar, pasi nuk kanë shpresë se rastet e tyre do ti zgjidhin përmes procedurave gjyqësore”.
Në anën tjetër, Shqiponjë Gashi, Hulumtuese në IKD, ka rekomanduar që sistemi gjyqësor të angazhohet maksimalisht që lëndët civile të kryhen brenda një afati të arsyeshëm kohor. Në këtë drejtim, KGJK duhet të kuptojë faktin se zvarritja e lëndëve me dekada cenon rëndë të drejtat dhe liritë e qytetarëve për të pasur një proces gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Po ashtu, Gashi ka rekomanduar që gjykatat të trajtojnë lëndët sipas radhës, përpos rasteve kur prioriteti jepet me ligj, dhe jo të kenë qasje selektive. Gjykatësit që shkelin këto prioritete të ligjit dhe politikave të KGJK-së të mbahen përgjegjës. /Telegrafi/