Komentet rreth zgjedhjes së kryekuvendarit Dimal Basha çuan në suspendimin e katër policëve në Prizren

Katër policë të Prizrenit janë suspenduar për tre ditë nga detyra me vendim të drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Faton Alija.
Shkak i suspendimit të përkohshëm pretendohet se janë komentet në një grup privat në Viber të zyrtarëve policorë në momentin e zgjedhjes së kryekuvendarit të Kosovës, Dimal Basha.
Komentimi për të ishte bërë shkak që më pas të shkrepej një fotografi e grupit, e cila më pas u dërgua për trajtim në Polici për aspekt disiplinor.
KALLXO ka siguruar vendimin që u është dërguar policëve për suspendim.
Zyrtarët policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në vendim u është përmendur se kanë bërë shkelje disiplinore.
“Pasi që me arsye dyshohet se punonjësi i Policisë së Kosovës është i përfshirë në incidentin që paraqet shkelje të rëndë disiplinore apo vepër penale dhe duke u mbeshtetur në interesin e Policisë, punonjësi i cekur në vendim suspendohet përkohesisht nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore në afat deri në tri (3) ditë”- thuhet në njoftim.
Pas kalimit të këtij afati pushon se vepruari ky vendim, përveç nëse merret vendim tjetër për vazhdim të të suspendimit, qoftë me shkrim apo me gojë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë.
“Pas pranimit të këtij vendimi, punonjësi i Policisë është i obliguar që ta dorëzojë kartelën identifikuese, armën zyrtare dhe pajisjet policore tek mbikëqyrësi i tij apo saj”- theksohet tutje në vendim.
Lidhur me këtë kishte reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj.
Ai këtë veprim e ka cilësuar si veprim të motivuar politikisht.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj tha se masat e marra ndaj policëve janë dëshmi e ndërhyrjes politike, që sipas tij fillimisht kanë ardhur nën ndikimin e Presidencës dhe tash, siç u shpreh ai, “nga kërkushi hiç”.
“Masat ekstreme që ishin marrë për katër policë janë dëshmi e ndërhyrjes së pastër politike, me qëllim të ushtrimit të diktatit me masa arbitrare, më parë nga Presidenca dhe tash nga kërkushi hiç. Kurdo që të konstituohet Kuvendi, interpelanca është e domosdoshme për kidnapuesin e zyrës së Ministrisë së Brendshme. Policia nuk është vegël përmes së cilës herë dëshironi të tregoni ‘muskuj’ e herë i shtypni sipas agjendave tuaja politike ditore”, shkroi Haradinaj.

















































