Kandidatja për asambliste të Prishtinës nga radhët e partisë Guxo, Miradije Statovci një ditë para zgjedhjeve lokale theksoi se më shumë se kurrë besojnë se qyteti i Prishtinës mund të jetë vend ku secili qytetar ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i përfaqësuar.

Statovci thekson se fushata parazgjedhore po mbaron, por energjia e tyre për ndryshim vazhdon.




"Fushata mbaroi, por energjia jonë për ndryshim vazhdon!

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Fushata jonë ka arritur në fund, por rruga për të ndërtuar një qytet më të drejtë, më të sigurt dhe më të bashkuar nuk ndalet këtu. Secili takim, çdo bisedë dhe çdo përqafim që kam ndarë me ju ka qenë një burim i pashtershëm energjie dhe motivimi. Faleminderit për besimin, mbështetjen dhe përzemërsinë tuaj – çdo fjalë dhe çdo veprim i juaji ka lënë gjurmë në këtë rrugëtim.

Sot, më shumë se kurrë, besojmë se qyteti ynë mund të jetë vend ku secili qytetar ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i përfaqësuar. Fushata mbaroi, por angazhimi im për ju dhe për një Prishtinë që reflekton shpresën dhe mundësitë e çdo qytetari vazhdon pa ndalim.

Le të vazhdojmë së bashku këtë rrugëtim – me guxim, me përkushtim dhe me besim se ndryshimi është i mundur!.". /Telegrafi/