Juventusi nuk pyet as yjet: Largimet mes polemikave, nga Dybala e Pogba te Danilo dhe dhjetë të tjerë

Legjenda dhe ish-presidenti i Juventusit, Giampiero Boniperti, dikur tha: “Fitorja nuk është gjëja më e rëndësishme, është e vetmja gjë që ka rëndësi".
Kjo shprehje është bërë pjesë e ADN-së së klubit torinez. Dhe “Zonja e Vjetër” gjithmonë ka bërë gjithçka të mundshme – madje edhe të pamundurën – për të qëndruar në krye.
Megjithatë, vitet e fundit këto fjalë duken sikur janë marrë shumë fjalë për fjalë në zyrat e Continassas. Juventusi ka humbur sensin e vlerësimit për lojtarët që vërtet kanë dhënë kontributin e tyre, ndërsa numri i fitoreve ka rënë.
Ky material nuk synon të analizojë arsyet apo pasojat. Është thjesht një listë me lojtarë që janë larguar – me fakte dhe me fjalët e tyre.
Paulo Dybala (2015–2022)
Erdhi nga Palermo për 41 milionë euro, fitoi 12 trofe në 7 sezone dhe u largua si lojtar i lirë te Roma. Dybala deklaronte se ishte klubi që e largoi edhe pse ai kishte ëndërruar të qëndronte gjatë te Zonja e Vjetër.
“Në mars më njoftuan se nuk kishte më vend për mua në projekt. Nuk ishte çështje financiare, thjesht drejtim tjetër. Nuk ishte zgjedhja ime”, deklaroi argjentinasi.

Adrien Rabiot (2019–2024)
U transferua falas nga PSG, me një pagë të lartë. Pas pesë vitesh, Juventusi vendosi të mos e rinovonte.
“Thiago Motta më telefonoi, por Giuntoli nuk bëri asgjë për të më bindur. Nuk ndjeva se donin të ndërtonin diçka serioze”, deklaronte francezi.

Federico Chiesa (2020–2024)
Me kontratë aktive, por i përjashtuar nga planet e Thiago Mottas. Italiani te Liverpooli tregon se klubi nuk i ofroi rinovim.
“Nuk mora asnjë ofertë rinovimi. Më thanë para se të niste sezoni se nuk isha pjesë e projektit”, deklaroi Chiesa.

Wojciech Szczesny (2017–2024)
Pas Buffonit u bë një nga portierët më të mirë të Serie A. Megjithatë, kontrata iu ndërpre. “Nuk e prisja të mos isha pjesë e projektit. E pranova vendimin, edhe pse nuk isha dakord”, deklaroi polaku.

Danilo (2019–2025)
Kapiten dhe figurë kyçe. Edhe pse donte të qëndronte, klubi vendosi ndryshe. Danilo nuk ishte në planet e Thiago Mottas.
“Nuk ishte vendimi im. Gjithmonë kam qenë i gatshëm për Juventusin. Më vjen keq që nuk iu thashë lamtumirë tifozëve në stadium”, ka thënë braziliani.

Dean Huijsen (2021–2024)
Produkt i Next Gen, i detyruar të largohej pas një huazimi te Roma. Ai tani është pjesë e Real Madridit, ndërsa Juventusi e shiti te Bournemouth. “Më bënë të stërvitesha veçmas. Doja një shans në ekipin e parë, por më thanë se duhej të largohesha”, deklaroi spanjolli.

Samuel Mbangula (2020–2025)
I promovuar nga Motta, belgu u shit te Werder Bremen për 10 milionë euro. “Juventusi më tha se duhej të më shiste për fonde. Nuk ishte zgjedhja ime”, deklaronte pas largimit.

Matias Soule (2020–2024)
Pas një sezoni të madh te Frosinone, Roma pagoi 25 milionë euro për të. “Motta donte të më mbante, por klubi vendosi ndryshe. Nuk e prisja të largohesha nga Juventusi”, ka thënë argjentinasi.

Juan Cuadrado (2015–2023)
U largua pa ceremoni pas 8 vitesh. Luajti te Interi dhe Fiorentina pastaj. Ishte nga të dashurit e tifozëve bardhezi.
“Doja të qëndroja. Klubi thjesht njoftoi në rrjete sociale se nuk do të rinovohej kontrata ime. Ishte e pakëndshme”, ishin fjalët e kolumbianit.

Sami Khedira (2015–2021)
Konflikt me klubin për prishjen e kontratës. U largua si lojtar i lirë te Hertha Berlin. Gjermani për gjashtë vite ishte prej më të mirëve.

Emre Can (2018–2020)
U la jashtë listës së Championsit dhe u ndje i tradhtuar. Ishte Maurizio Sarri që nuk e pëlqente lojën e tij dhe vendosi ta linte jashtë.
“PSG më donte, por vendosa të qëndroja. Juventusi më premtoi se do të isha në Champions, pastaj më përjashtuan”, deklaronte gjermani me prejardhje turke.

Gonzalo Higuain (2016–2020)
Pasi klubi mori Cristiano Ronaldon, argjentinasi u detyrua të largohej, fillimisht si huazim te Milani, pastaj te Chelsea. U ble për rekord nga Napoli. “Në thelb, thjesht u përjashtova. Nuk ishte zgjedhja ime”.

Paul Pogba (2012–2016; 2022–2024)
Periudha e dytë u shënua nga lëndimet dhe çështja e dopingut. Juventusi e mori me bujë nga Man Utd, por Pogba nuk ishte më i vjetri. “Kërkova ndihmë nga klubi, por nuk ma dhanë. Ishte e dhimbshme të kuptoja se nuk ishin në anën time”, deklaronte francezi.

Përfundimi
Në Torino, historia tregon se askush nuk është i paprekshëm. Nga legjendat tek të rinjtë premtues, klubi ka treguar se është i gatshëm të ndajë rrugët në çdo moment, shpesh pa shumë ceremoni.
Vendimet kanë ardhur nën drejtimin e trajnerëve të ndryshëm – Andrea Pirlo, Maurizoi Sarri, Max Allegri, Thiago Motta – dhe drejtuesve si Andre Paratici apo Cristiano Giuntoli. /Telegrafi/




















































