Nga: Blerim Shala (shkrim i publikuar për herë të parë në Javoren “Zëri” më 1998)
Pamundësia e preokupimit muzikor dhe artistik me vdekjen pa pasoja për jetën, bëri që Joy Division, pas vetëvrasjes së Ian Curtisit, të transformohet në grupin New Order. Në të vërtetë, duket që këtu, emrat e grupit ishin përzier: atij të parit, me Curtisin, më tepër i shkonte emri New Order (si reaksion ndaj rendit të vjetër të rockut të të shtatëdhjetave), ndërsa ky i dyti, njëmend u bë njësi, aradhe e kënaqësisë.
Në histori të rockut vështirë që mund të ndodhë sërish një transformim i tillë, një U-turn, një kthesë e menjëhershme, e pamëshirshme ndaj vetes dhe ndaj adhuruesve.
Kjo kthesë u bë sipër vdekjes së komunikuar në trajtë të vetëvrasjes, pra të fundit të zgjedhur me vullnet, apo të vullnetit për të zgjedhur fundin, vdekjen.
Po flasim pra për Ian Curtisin, për grupet Joy Division dhe New Order.
Curtis dëshironte të jetë si Jim Morrisoni, do të pëshpëritë pastaj, kur çdo gjë mori fund, Deborah, e veja e tij.
Punku si pakënaqësi me pretekst
Ishte pra kohë, andej, kah fundi i të shtatëdhjetave dhe fillimi i tetëdhjetave, kur glitterin (shkëlqimin) dhe glamorin (dëfrimin, bollëkun), si përcaktime paraprake të rockut të atëhershëm, e shlyu prej faqes së skenës (dhe të dheut) rrëmuja e punkut, e cila ta përkujtonte atë ndërhyrjen e long-hair halabakëve në një drekë solemne, në filmin antologjik “Hair” të Milosh Formanit. U quajt, e tëra ajo lëvizje, New Wave, e cila lëvizje dëshironte ta rikthejë atë paktin e rockut me pakënaqësinë, me të panjohurën, me protestën, me prirjen që të luhet me vdekjen, edhe me vdekjen pra, nëse në këtë mënyrë duhet shpëtuar rockun, i cili në ndërkohë u bë biznes, u vesh me ndriçim, i tha lamtumirë pakënaqësisë dhe u adaptua në rrethanat e një rendi i cili është përparim i pandalshëm dhe i përhershëm. Ky synim për rinënshkrimin e këtij pakti bëhej përmes britmës dhe pështymës, te Sex Pistols, The Clash dhe shumë punk grupe të tjera që mbinin si kërpudhat pas shiut (a pështymës me shumicë), apo përmes një ndjeshmërie të re për errësirën, e cila sërish zbulohet pas verbimit me atë shkëlqimin e të shtatëdhjetave, ndjeshmërie për jetën e veshur me petkat e zakonshme, e cila prapë del si një varg, si një strofë, si një këngë, pas lakuriqimit, zhveshjes së rrobave laramane të glitter-rockerit, i cili pa ia nda, Non Stop (sipas orarit të kafeneve), këndon dhe vajton dhe gëzon për dashuritë e të gjitha llojeve.
Në këta të dytët pra, që britmën e kishin pasojë, rezultat të përditshmërisë, e jo mjet (si te punku) për shprehjen e urrejtjes ndaj po të njëjtës përditshmëri, hynin grupet si The Jam dhe Joy Division.
Joy Division (Njësia e kënaqësisë, në përkthim), incizuan vetëm dy albume, sa arritën të “vendosen” (a të “strehohen”) në vitet prej formimit të grupit, deri më 18 maj të vitit 1980, kur Ian Curtis, në moshën 24 vjeçare, shpall përfundimin e jetës së grupit përmes vetëvrasjes së tij.
Këto dy albume “Unknown pleasures” dhe “Closer” janë dëshmi e pafuqisë së ballafaqimit të Ian Curtisit me ofertat e jetës (s’është çudi që në fanelën e tij, në paraqitjet e para në koncerte, ishte e shkruar fjala “Hate”, urrejtje pra), me frustrimet e përditshmërisë, janë konfirmin i pamundësisë së akceptimit të pafuqisë së njeriut, i paaftësisë që prehja të kërkohet në komunikimin me jetën përmes lutjes, përmes fjalës, artit, kënaqësisë, një kafeje mëngjesi, një pije në buzëmbrëmje verore, një flirti, apo një grumbulli fëmijësh të lënë prapa teje. Këngët e Joy Division janë përshkënditje të Curtisit, janë të rrufeshme, janë si thërmi të arit, që shkëlqejnë në thellësi të minierës, për të çarë terrin dhe dritën, aty ku s’ka dritë të diellit. Njëkohësisht, ato këngë janë mburojë e flashkët, fragjile, e thyeshme që thyhet si një gotë qelqi.
Fama si prehje me pretekst
Curtisi njëmend përfundoi si Morrisoni, madje me një vdekje katër vjet më të re se ai (Morrisoni vdiq si 28 vjeçar), me një disfatë të pranuar, me ndërprerjen e njëanshme të tentimeve për të mbijetuar ankthin që është dioksid karbon i frymëmarrjes shpirtërore të njeriut dhe duke mos besuar në oksigjenin e kësaj frymëmarrjeje, në shpresën.
Dhe, pas vdekjes së Curtisit, ndodh ajo kthesa e madhe e të mbeturve gjallë të grupit Joy Division. Bernard Sumner, kitaristi i grupit, atëherë do të konstatojë: “Muzika e Joy Division ka paraqitur, në të vërtetë, vdekjen e optimizmit, vdekjen e fëmijërisë, vdekjen e shoqërisë në të cilën jemi rritur …”.
Me vdekjen e Curtisit, të gjallët e Joy Division panë që më nuk mund të qëndrojnë në brendi të territ, pa përfunduar si Iani.
Pamundësia e preokupimit muzikor dhe artistik me vdekjen pa pasoja për jetën, bëri që Joy Division të transformohet në grupin New Order (Rendi i ri). Në të vërtetë, duket që këtu emrat e grupit ishin përzier: Atij të parit, me Curtisin, më tepër i shkonte emri New Order (si reaksion ndaj rendit të vjetër të rockut të të shtatëdhjetave), ndërsa ky i dyti, njëmend u bë njësi, aradhe e kënaqësisë. New Order futën sintetizatorët në lojë, makinën ritmike, shpallën paktin me jetën përmes muzikës për vallëzim, u bënë të famshëm, fituan para, u ngjitën top listave, madje një këngë e tyre u bë himn zyrtar i seleksionit futbollistik të Anglisë në kampionatin botëror të Italisë, më 1990.
Në coverin e albumit “Republic” (të vitit 1993), të New Order, më mirë se me fjalë të tëra, u shpjegua transformimi i grupit: në të majtë është një shtëpi e kallur, në të djathtë është një çift i cili dëfrehet në një plazh. New Order u përcaktua për dëfrim, për jetë. Kujtimi për Curtisin i jep pakëz të zezë, shumësisë së ngjyrave të New Order. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme