Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme, nga 30 marsi deri më 3 prill 2026, moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje shiu në të gjithë territorin e vendit.

Sipas IHMK-së, ditët më intensive me reshje priten të mërkurën dhe të enjten, ndërsa ditët e tjera moti do të karakterizohet nga vranësira me reshje të dobëta.


“Nga pikëpamja agrometeorologjike, këto kushte konsiderohen të favorshme për bimët dhe tokën, pasi nuk parashihen temperatura negative që mund të dëmtojnë kulturat e mbjella. Lagështia e shtuar nga reshjet do të ndihmojë në mbajtjen e tokës së lagur, duke lehtësuar proceset e rritjes së bimëve dhe aktivitetet e punimeve bujqësore,” thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Mungesa e ngricave dhe temperaturat e moderuara do të krijojnë kushte të mira për zhvillimin normal të kulturave pranverore.

Bujqit janë këshilluar të përfitojnë nga këto ditë për punimet e tokës, mbjelljet e reja dhe kujdesin për bimët.

Parashikimi ditor i motit:

E hënë: Kryesisht i vranët, vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale 3–5°C, maksimalet 6–9°C.

E martë: I vranët me riga shiu. Minimalet 1–3°C, maksimalet 6–9°C.

E mërkurë: Reshje më intensive shiu. Minimalet 1–4°C, maksimalet 5–7°C.

E enjte: I vranët dhe me shi. Minimalet 1–4°C, maksimalet 7–9°C.

E premte: Kryesisht i vranët me riga shiu, por më i ngrohtë. Minimalet 1–4°C, maksimalet 8–11°C.

IHMK thekson se këto kushte ofrojnë mundësi optimale për bujqësinë, pa rrezik nga dëmtimet e shkaktuara nga temperaturat e ulëta.