Ministria e Arsimi në RMV, Vesna Janevska sot paralajmëroi se në vitet e ardhshme do të rriten fondet buxhetore për arsimin e lartë.

“Ne duhet të tregojmë aftësitë tona në ofrimin e mekanizmave për ta shndërruar ikjen e trurit në ‘qarkullim të trurit’. Qëllimi nuk është të parandalohet lëvizshmëria, por ta shndërrojmë atë në një proces në të cilin studentët dhe profesorët largohen, por kthehen me njohuri, kontakte dhe ide të reja”, tha Ministrja e Arsimit Vesna Janevska në hapjen e konferencës “Ura drejt së Ardhmes: Ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore”.


Në konferencën në Shkup, të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës po e organizon në partneritet me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe Bankën Botërore, Janevska tha se pa kontributin e komunitetit të arsimit të lartë përmes kërkimit, të nxënit dhe mësimdhënies, ndikimit social, inovacionit dhe transferimit të teknologjisë, sfidat kryesore të shoqërive moderne nuk mund të zgjidhen, përfshirë ato që lidhen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

"Në periudhën e ardhshme, do të kemi punë intensive për të thelluar bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për të ndërtuar kapacitete institucionale, siç është sigurimi i aksesit të barabartë për të gjithë studentët dhe mësuesit në të mirat e përbashkëta arsimore. Megjithatë, sfidat janë të shumta. Universitetet dhe vendet kanë fonde të kufizuara për programet e lëvizshmërisë, projektet kërkimore dhe infrastrukturën. Mungesa e financimit të qëndrueshëm e bën ndërkombëtarizimin të varur nga donacionet dhe jo nga një strategji afatgjatë. Në këtë drejtim, si vend, Maqedonia ka bërë një hap të madh përpara në një vit e gjysmë të fundit. Ne kemi rritur investimet në arsimin e lartë dhe shkencën, dhe jemi të vendosur fuqimisht që fondet buxhetore për këtë qëllim do të vazhdojnë të rriten në vitet e ardhshme", theksoi Janevska.

Ministrja tha se ndërkombëtarizimi duhet të bëhet "një qasje që nuk e varfëron komunitetin tonë akademik, por përkundrazi e pasuron atë dhe e bën më konkurrues, duke inkurajuar njëkohësisht inovacionin dhe zhvillimin e vendeve"./Telegrafi/