LAJMI I FUNDIT:

BE-ja u krijua fshehurazi nga ShBA-ja, por u “lazdrua”: BE të zgjohet, brenda katër muajve mund ta gjunjëzojë Rusinë

BE-ja u krijua fshehurazi nga ShBA-ja, por u “lazdrua”: BE të zgjohet, brenda katër muajve mund ta gjunjëzojë Rusinë

Nga: Ambrose Evans-Pritchard / The Daily Telegraph (titulli: No Mr Trump, the EU was created to ‘screw’ Russia)
Përkthimi: Telegrafi.com

Donald Trump ka të drejtë kur thotë se Bashkimi Evropian për dekada të tëra është marrë me merkantilizëm të maskuar, duke përfituar nga konsumatori amerikan, në vend që të gjeneronte kërkesën e vet të brendshme.

Ai ka të drejtë kur thotë se Evropa ka eksportuar drejt ShBA-së papunësinë e saj në sektorin e prodhimit, përmes politikave të padukshme tatimore, fiskale dhe monetare, duke gërryer industritë e rajonit të çelikut në Luginën e Ohajos.


Lexo po ashtu: BE-ja më në fund po paguan çmimin e hipokrizisë së vet

Ai ka të drejtë gjithashtu të kundërshtojë imperializmin rregullator të Evropës, ose atë që entuziastët e BE-së e quajnë me entuziazëm “Efekti i Brukselit”.

A mendoi Komisioni Evropian se mund ta impononte Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) pa shkaktuar ndonjë kundërpërgjigje? Nëse dëshiron të jesh fuqia kryesore, duhet të sigurohesh që nuk je i varur nga një superfuqi e huaj – për energjinë, mbrojtjen dhe mbijetesën politike.

Megjithatë, Trumpi gabon për origjinën e BE-së. “Bashkimi Evropian u krijua për t’ia ‘ngulur’ Shteteve të Bashkuara. Ky është qëllimi i tij”, u tha ai anëtarëve të kabinetit të tij.

Në të vërtetë, BE-ja ishte një projekt amerikan i krijuar për t’ia “ngulur” Rusisë. Dokumentet e deklasifikuara tregojnë se Uashingtoni nxiti integrimin evropian që nga fundi i viteve ’40 të shekullit XX, duke e financuar fshehurazi atë – nga Trumani deri te Nixoni – derisa proto-BE-ja ishte sa duhet e fortë për të qëndruar në këmbët e veta.

Kumbari i Euros, Jean Monnet, jetonte në Amerikë dhe shërbente si sytë dhe veshët e Franklin Rooseveltit në Evropë gjatë fillimit të viteve ’40 të shekullit XX. Charles de Gaulle e konsideronte atë si një agjent amerikan.

Presidenti Truman kërcënoi të ndërpriste ndihmën e Planit Marshall, në shtator 1950, nëse francezët nuk pranonin të pajtoheshin me Gjermaninë e pasluftës.

Deklarata Schuman, teksti themelues i Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut, u hartua kryesisht nga sekretari amerikan i shtetit, Dean Acheson, në Fogi Botëm. “Gjithçka filloi në Uashington”, tha shefi i kabinetit të Robert Schumanit.

Qëllimi ishte i qartë. ShBA-së i duhej një Evropë perëndimore e riarmatour dhe e bashkuar si një mburojë kundër ekspansionit sino-sovjetik.

Stalini kishte shkelur marrëveshjen e Jaltës duke pushtuar Çekosllovakinë në vitin 1948. Dy vite më vonë, Koreja e Veriut kaloi Paralelin e 38-të dhe pushtoi Jugun, duke shkaktuar një luftë që rriti shpenzimet ushtarake të ShBA-së në 11 për qind të PBB-së – një përqindje shumë më e madhe se shumat modeste të shpenzuara për mbrojtjen e Ukrainës nga ShBA-ja sot.

Siç raportoi për herë të parë kjo gazetë [The Daily Telegraph] në vitin 2000, dosjet e Departamentit të Shtetit zbulojnë se inteligjenca amerikane për dekada të tëra financoi fshehurazi lëvizjen evropiane.

Ishte një operacion i kryer në distancë nga veteranët e Zyrës së Shërbimeve Strategjike të kohës së luftës, nga pararendësja e CIA-s.

Një dokument tregon se si e financoi shumicën e buxhetit të Lëvizjes Evropiane në vitin 1958, duke trajtuar disa nga “baballarët themelues” të BE-së si punonjës të paguar. Kjo përfshinte edhe manovra të fshehta.

Një shënim i datës 11 qershor 1965 udhëzonte nënkryetarin e Komunitetit Evropian që të ndiqte bashkimin monetar në mënyrë të fshehtë, duke shtypur debatin derisa “miratimi i këtyre propozimeve të bëhej praktikisht i pashmangshëm”.

Kjo ishte një lëvizje tepër sekrete, e cila na çon te euroja. Strategjia e Uashingtonit doli jashtë kontrollit në vitet ’90 të shekullit XX. Pasi blloku sovjetik u shemb, evropianët perëndimorë u ndien më të sigurt dhe shpejt u bënë të padurueshëm, ashtu si kolonitë amerikane të Britanisë që u rebeluan pasi francezët humbën Kanadanë në Luftën Shtatëvjeçare.

Në BE-në e viteve ‘90 të shekullit XX ndihej një erë e fortë anti-amerikanizmi, ndërsa përpiqej të krijonte mekanizmin e një superfuqie të plotë, që kulmoi me triumfalizmin e Agjendës së Lisbonës në mars 2000.

Synimi ishte të kapërcente ShBA-në dhe që brenda një dekade të bëhej “ekonomia më konkurruese dhe dinamike e bazuar në dije, në botë”. Kur afati skadoi, BE-ja, përkundrazi, po përballej me fillimin e “dekadës së humbur” të saj.

Euroja nuk u bë kurrë një monedhë rezervë me fuqi të jashtëzakonshme, por pati pasoja të mëdha globale.

Peter Navarro, këshilltari tregtar i Trumpit, thotë se mekanizmat e shtrembëruar të bashkimit monetar i mundësuan Gjermanisë ta mbante markën e saj [Deutsche Mark] “skajshmërisht të nënvlerësuar”, duke i lejuar eksportuesit gjermanë të siguronin një avantazh tregtar ndaj konkurrentëve amerikanë dhe vendeve të Mesdheut për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit.

Berlini dhe Brukseli iu përgjigjën krizës së borxhit në eurozonë – e cila në realitet ishte një krizë e rrjedhës së kapitalit brenda EMU-së [Unioni Ekonomik Monetar] – duke imponuar masa të ashpra kursimi dhe duke e zhytur bllokun mesdhetar në një krizë ekonomike. Jugut iu tha të dilte nga kriza përmes “devalvimit të brendshëm”.

Efekti i përgjithshëm ishte rritja e suficitit të llogarisë aktive të eurozonës në 343 miliardë euro deri në vitin 2018, pesë herë më shumë se suficiti i Kinës atë vit.

Blloku po thithte kërkesën globale në vend që të pranonte një bashkim fiskal të nevojshëm për të bërë euron funksionale. Asgjë nga kjo nuk i ka shërbyer mirë Gjermanisë, dhe suficiti që atëherë është tkurrur, por analiza e Navarros për periudhën 1995-2020 është kryesisht e saktë.

Navarro ka gjithashtu të drejtë kur thotë se Evropa ka një mozaik rregulloresh, taksash mbi vlerën e shtuar [TVSh] dhe të ndihmave shtetërore që e orientojnë ekonominë drejt eksporteve.

Ajo mbron fermerët e BE-së duke na hedhur hi syve. Nuk kishte asnjë justifikim për ndalimin e të korrave të modifikuara me teknologjinë CRISPR të modifikimit të ADN-së – të cilat nuk duhen ngatërruar me bimët transgjene – siç tashmë BE-ja po e pranon.

Nëse mendoni se mirëqenia e pulave është më e keqe në Amerikë, vizitoni kotecet gjigante të Francës ose Polonisë.

Paralajmërimi i Trumpit në këtë javë se synon të vendosë tarifa prej 25 për qind mbi BE-në, është fryti i hidhur i 30 viteve të pakënaqësive. Nuk pres që Britania e Madhe të përjashtohet nga kjo goditje.

Përgjigja e qartë për Evropën është të riarmatoset në një shkallë shumë më të madhe sesa çdo gjë e planifikuar deri tani nga Gjermania, Franca, Italia dhe Britania – si një formë e “Kenianizmit ushtarak”, por edhe për të marrë përsipër mbrojtjen e Ukrainës dhe për të diktuar rezultatin e kësaj lufte, në vend që t’i nënshtrohet prirjeve pro-Kremlin të Trumpit.

Nëse Evropa e pasur nuk arrin të gjejë burimet për të prodhuar ose siguruar predha artilerie dhe raketa kundërajrore për të ndalur një Rusi me të ardhura mesatare, atëherë e meriton të përfundojë në koshin e historisë.

Rusia ka shpërdoruar burimet njerëzore dhe materiale në një shkallë masive për të fituar mezi një për qind të territorit të Ukrainës – gjatë vitit të fundit. Ajo nuk ka marrë ndonjë qytet të rëndësishëm të ri dhe nuk është afruar aspak në pushtimin e katër rajoneve të aneksuara.

Rusia do ta fitojë këtë luftë ngadalë nëse ne dorëzohemi për shkak të defetizmit, por ajo ende nuk po fiton – dhe mos u mashtroni nga statistikat e sajuara të ekonomisë së saj të luftës.

Evropa ka fuqinë detare dhe ajrore për ta gjunjëzuar Rusinë brenda katër muajsh duke bllokuar flotën e errët të naftëmbajtësve të Kremlinit në Skagerak, me ose pa ndihmën amerikane.

Realistët strategjikë argumentojnë se Trumpi ka të drejtë të përpiqet ta shkëpusë Rusinë nga Kina me një lëvizje të tipit “Nixon i kundërt” dhe se sakrifikimi i Ukrainës ia vlen – nëse Trumpi e ka me të vërtetë këtë vizion, për çfarë unë dyshoj.

Të tjerë thonë se interesi kombëtar i Britanisë nuk varet nga Ukraina apo nga treshja e shteteve baltike, të cilat mund të jenë të radhës në menynë e Putinit, pavarësisht simpative njerëzore.

Ndoshta, por në çdo rast, ne evropianët duhet të riarmatosemi. Dhe, do të ishte më mirë ta bënim këtë me një ushtri ukrainase të kalitur në betejë, me një milion trupa në anën tonë, sesa të pranonim farsën e Trump & Putin Inc.

Përndryshe, mund të na duhet të mbrojmë një “paqe të rreme” me 100 mijë trupa, me një kosto shkatërruese për gjysmë përjetësie, pa fuqinë ajrore amerikane apo mbulimin e Nenit 5 të NATO-s.

Konfliktet e pazgjidhura janë toksike. Rreth 28 mijë trupa amerikane ende patrullojnë Paralelin e 38-të plot 72 vjet pas përfundimit të Luftës së Koresë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Trump ia ndërpreu fjalimin kryeministrit britanik në konferencën për shtyp: Mjaft, faleminderit

Trump ia ndërpreu fjalimin kryeministrit britanik në konferencën për shtyp: Mjaft, faleminderit

Amerika
Macron iu drejtohet evropianëve: Nënshtrimi nuk është zgjidhje, nuk duhet të bëhem vasal të amerikanëve

Macron iu drejtohet evropianëve: Nënshtrimi nuk është zgjidhje, nuk duhet të bëhem vasal të amerikanëve

Evropa
U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

Afrika

"Ai s'ka me qenë kurrë i yti", Xheneta i përgjigjet komentit për Gjestin

Magazina
“Vranë 27-vjeçaren shtatzënë e në prehër kishte vajzën trevjeçare”, Kurti përkujton masakrën nga forcat serbe në Likoshan e Qirez

“Vranë 27-vjeçaren shtatzënë e në prehër kishte vajzën trevjeçare”, Kurti përkujton masakrën nga forcat serbe në Likoshan e Qirez

Lajme
Zyra e Kryeministrit me letër drejtuar Gjykatës Themelore: Kurti është i gatshëm për intervistim, Prokuroria nuk ka motiv ligjor por politik

Zyra e Kryeministrit me letër drejtuar Gjykatës Themelore: Kurti është i gatshëm për intervistim, Prokuroria nuk ka motiv ligjor por politik

Lajme
Kalo në kategori