Gjykimi për fshehje tatimore në të cilin akuzohet edhe zyrtari i BDI-së, Ismet Guri, është shtyrë për më 4 tetor, pasi një nga të akuzuarit nuk është paraqitur në seancën e sotme. Ish-zëvendësdrejtori i Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Ismet Guri, i cili kërkohej me urdhër ndërkombëtar me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, më 29 gusht është paraqitur vetë në polici dhe sot për herë të parë është ulur në bankën e të akuzuarve
Guri u arrestua në korrik të vitit të kaluar së bashku me 15 persona, mes të cilëve biznesmenë dhe inspektorë të DAP-it, me dyshimin për bashkim kriminal dhe mashtrim tatimor. Ndaj tij është lëshuar fletarrest ndërkombëtar në janar të këtij viti pasi nuk është gjetur në adresën ku vuante masën e arrestit shtëpiak.
Sipas Prokurorisë, Guri ishte përfshirë në një skemë mashtrimi tatimor dhe bënte rimbursim të TVSH-së përmes llogarive fiktive prej 840 mijë eurosh dhe me paratë kishte blerë edhe hapësirë biznesi.
Të akuzuar të tjerë në këtë rast janë Igor Blazhev, Filip Blazhev, Zoran Trajanovski, Pala Taseva, Dona Damjanovska Markoviq, Ilija Vaskov, Dani Nestorovski, Jagoda Miteva, Besnik Ademi, Fitim Sulejmani, Faruk Guri dhe personat juridikë të IPSH Rinolist dhe SHPTSH “Eksluziv Kamen”.
Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së të akuzuarit Dani Nestorovski, ndërsa gjyqtarja Sofçe Gavrilova Efremova kërcënoi me masa të rrepta sigurie nëse të akuzuarit nga liria nuk vijnë përsëri në gjykim.
Prokurore në procesin është Ivana Trajçeva, e cila sot kërkoi bashkimin e procedurës ndaj të akuzuarit Dimitar Kratovski, për të cilin është duke u zhvilluar një procedurë tjetër para Gjykatës.
Ndaj Ismet Gurit, së bashku me Ejup Alimin, është zhvilluar edhe çështja “Titanik 3” për asgjësimin e materialit zgjedhor , në të cilën Gjykata, pas një gjykimi të përsëritur vitin e kaluar, u ka shqiptuar dënime jo tëplotfuqishme nga tre vjet e gjashtë muaj. Aktakuza për “Titanik 3” u hap në vitin 2017 nga ish-PTHP. Ata akuzoheshin për veprën e asgjësimit të materialit zgjedhor, përkatësisht se në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë ndryshuar një pjesë të procesverbaleve të votimit në Çair. Guri ishte aktivist i shquar i BDI-së, ndërsa pas ndarjes së Izet Mexhitit iu bashkua Lëvizjes Demokratike.