Islami: Petkoviq fshihet prapa fëmijëve dhe Kryqit të Kuq për të mbrojtur strukturat kriminale në veri

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka akuzuar shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, se po përdorë fëmijët në veri të Kosovës për të mbrojtur veprimtarinë e strukturave ilegale atje.
Islami, duke folur për protestë e fëmijëve në veri pas mbylljes së një qendre sportive e cila menaxhohej nga strukturat kriminale në veri, tha se “nëse vërtet bëhej fjalë për një qendër për fëmijë dhe kurse të ndihmës së parë, atëherë pse ajo ndërtesë ruhej nga ish pjesëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’ [organizatë ilegale serbe] dhe njerëz të afërt me strukturat e kriminale në veri?”.
“Petar Petkoviqi po përpiqet sërish të luajë rolin e viktimës, duke u fshehur prapa Kryqit të Kuq dhe fëmijëve, ndërkohë që di shumë mirë kush e ka përdorur atë objekt. E gjithë kjo është një tentativë për ta kthyer një bastion të krimit të organizuar në simbol të humanizmit dhe për këtë po përdor fytyrën e fëmijëve”, ka shkruar Islami, transmeton Telegrafi.
Sipas Islamit, institucionet e Kosovës vepruan drejt.
“Ai objekt ishte thjesht një maskë për qëllime shumë më të errëta. Nuk mund të lejojmë që simboli i humanizmit të përdoret si mburojë për ata që organizojnë sulme. Siguria e Kosovës nuk komprometohet për hir të farsave propagandistike”, ka shkruar Islami.
Drejtori i ashtuquajturës, zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e dënoi vendimin e institucioneve të Kosovës për të marrë nën kontroll një objekt që ai pretendon se i përket “njërës prej organizatave humanitare më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë”, duke iu referuar Kryqit të Kuq./Telegrafi/





















































