Ish-ylli turk paralajmëron kombëtaren e tij: Kosova nuk nënvlerësohet, fiton ai ekip që lufton më shumë

Ish-mbrojtësi i njohur turk, Servet Çetin ka theksuar se përballja ndaj Kombëtares së Kosovës kërkon më shumë sesa talent, duke paralajmëruar për një kundërshtar që lufton fort dhe ushtron presion të vazhdueshëm. Ai nënvizon se, edhe pse Turqia ka cilësi më të lartë, ndeshje të tilla fitohen nga skuadra që jep më shumë në fushë dhe shfrytëzon çdo moment.
Çetin ndalet edhe te rëndësia e organizimit mbrojtës dhe përqendrimit maksimal, duke kërkuar që ekipi të funksionojë si një njësi e vetme dhe të shmangë gabimet. Sipas tij, motivimi i Kosovës dhe dëshira për sukses e bëjnë këtë sfidë edhe më të vështirë, ndaj Turqia duhet të jetë e përgatitur në çdo detaj për të arritur rezultatin e synuar.
“Si trajner, kam mendimet dhe preferencat e mia për lojtarët, por nuk është e drejtë të jap emra për kombëtaren. Të gjithë lojtarët janë si fëmijët tanë, dhe kushdo që luan, do të japë më të mirën. Sigurisht që ka lojtarë që i preferoj, por nuk është momenti për t’i theksuar. Ata e dinë se duhet të luftojnë me gjithë forcën. Mbrojtja jonë do të ketë shumë punë. Duhet të jemi të fokusuar për 90 minuta dhe të japim maksimumin”, ka thënë fillimisht Çetin.
“Ndeshja me Kosovën kërkon më shumë sesa vetëm cilësi; do të përballemi me një ekip që lufton fort dhe që do të ushtrojë presion ndaj lojtarëve tanë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Cilësia jonë është më e lartë, por fiton ai ekip që lufton më shumë dhe që shfrytëzon çdo rast. Çdo lojtar i Kosovës do të japë më shumë se 100 për qind për ekipin e tij, dhe ky është rreziku më i madh për ne”, transmeton Telegrafi.
- YouTube www.youtube.com
“Mbrojtja e ekipit është vendimtare. Nuk mund ta mbështesim vetëm tek mbrojtësit. Mbrojtja duhet të funksionojë si një njësi e vetme. Nëse e lëmë të vetme, edhe më të mirët do të gabojnë dhe do të pësojnë gol. Duhet të bllokojmë pasimet e kundërshtarit dhe të mos e lëmë mbrojtjen tonë të hapur. Kosovën duhet ta marrim seriozisht; vetëm cilësia nuk mjafton. Fiton ekipi që lufton më shumë dhe shfrytëzon çdo rast”.
“Kosova po shkon për herë të parë në Kupën e Botës, ndërsa ne nuk kemi marrë pjesë për 24 vite. Kjo do të jetë motiv shtesë për ta, dhe duhet të jemi të gatshëm për energjinë dhe dëshirën e tyre. Nëse nuk i përgjigjemi me intensitet, mund të hasim vështirësi. Ata do të sulmojnë në grup dhe do të krijojnë presion ndaj lojtarëve tanë”, përcjell Telegrafi.
“Duhet të jemi të përgatitur për provokime, kartonë dhe të mos ndëshkohemi. Çdo detaj mund të ndikojë në rezultat. Nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin. Cilësia jonë është më e lartë, por vetëm me luftë dhe përqendrim mund ta shfrytëzojmë këtë cilësi”, përfundoi ish-ylli turk.
Kujtojmë se ndeshja, mes Kosovës dhe Turqisë është programuar për ditën e martë, më 31 mars, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, nga ora 20:45. /Telegrafi/























































